Eurovision-i i këtij viti është i mbushur me ngjarje të shumta dhe protesta nga njerëzit që janë pro-palestinezëve, të cilët nuk i kanë ndalur marshimet në Malmö, Suedi. Nga ana tjetër, konkurrenti holandez, Joost Klein u përjashtua pasi intimidoi një punonjëse të stafit.
Më parë, edhe konkurrentja që përfaqëson Izraelin, Eden Golan, u detyrua të ndryshonte tekstin e këngës, pasi përmendte fragmente nga ngjarja e 7 tetorit, kur Hamasi sulmoi Izraelin. Golan, 20 vjeç, është e detyruar të qëndrojë në siguri ekstremisht të lartë dhe ruhet nga truproja të armatosura.
Prej prezencës së saj, i gjithë qyteti është nën masa të rrepta sigurie. Eurovision gjithashtu është përballur me kritika të shumta, pasi nuk ka përjashtuar nga gara Izraelin. Protestuesit, nën parrulla të shumta, mes tyre edhe “Eurovision, i bashkuar nga gjenocidi”, kanë reflektuar mllefin ndaj padrejtësive që po ndodhin në Gaza.
Të tjerë konkurrentë janë shprehur kundër luftës në Gaza. Edhe konkurrenti francez, Slimane, theu një prej rregullave striktë të garës, i cili nuk lejon fjalime politike. Gjatë provave, ai ndërpreu këngën dhe mbajti një fjalim, ku u shpreh: “Dua vetëm të them diçka. Çdo artist këtu do të këndojë për dashurinë dhe paqen. Duhet të jemi të bashkuar nga muzika, po, por me dashuri për paqen. Të bashkuar nga muzika po, por me dashuri për paqen”, theksoi ai.
Më herët, konkurrentja Bambie Thug, e cila përfaqëson Irlandën, u tërhoq nga gara, pasi performanca e saj po transmetohej në një kanal izraelit. Ndërsa mediat norvegjeze raportojnë se zëdhënësja e jurisë së tyre është tërhequr për shkak të gjithë situatës së nxehtë në Malmö.
Ndërkohë, ekziston rreziku që përfaqësuesit e shteteve të ndryshme, të ndërpresin performancat për të bërë deklarata publike për paqe. Deklarata të tilla do të dëshmohen nga më shumë se 160 milionë njerëz në mbarë globin.
Gjatë netëve gjysmëfinale ka pasur gjithashtu tension, pasi disa prej konkurrentëve bënë gjeste kundrejt konkurrentes së Izraelit. Për BBC, Angelina Mango, përfaqësuese e Italisë, u shpreh se ka pasur goxha tension.