Shqipëria

Booking: Kush jep apartament me qira, të deklarojë NIPT-in ose do të paguajë 20% TVSH mbi komisionin

Shkruar nga Anabel

27 Tetor 2023

Booking: Kush jep apartament me qira, të deklarojë NIPT-in ose do

Booking.com - një nga agjencitë online më të mëdha të udhëtimeve - u ka kërkuar pronarëve të apartamenteve në Shqipëri se nëse nuk deklarojnë NIPT-in, nga 1 nëntori do të paguajnë 20% TVSH për komisionet që mban Booking.

"Ju lutem vini në dispozicion numrin tuaj NIPT brenda 31 tetorit 2023. Gjithashtu konfirmoni regjistrimin për taksën e TVSH-së, datën e regjistrimit dhe deklaratën e regjistrimit të TVSH-së brenda 31 tetorit 2023. Nga 1 nëntori 2023, nëse nuk keni dorëzuar regjistrimin e TVSH-së, konfirmimin që jeni i regjistruar në TVSH, datën dhe një kopje të vërtetimit tuaj të regjistrimit, do të aplikojmë 20% TVSH në faturën e komisionit që ju dërgojmë. Ju lutem vini re se kjo ka të bëjë vetëm me faturën e komisioneve që ju dërgojmë, nuk ndikon në TVSH-në që i ngarkohet klientit në çmimin e qëndrimit të tyre në pronën tuaj," thuhet në njoftimin e Booking (via Monitor.al).

Vendimi duket se ka ardhur pas kërkesës së autoriteteve shqiptare, të cilat kanë si qëllim që përmes këtyre pagesave, të identifikohen individët e regjistruar në këtë platformë, pasi të dhënat nga pagesat e kryera nga Booking do t'i dërgohen Drejtorisë së Tatimeve. 

Këta të fundit do t'u drejtohen më pas pronarëve të apartamenteve për t'u kërkuar që të paguajnë taksat mbi të ardhurat që ata përfitojnë, në bazë të legjislacionit fiskal. 

Monitor.al raporton se për momentin, kjo masë për formalizimin e tregut përmes identifikimit të pronarëve të regjistruar në platformat e huaja është për Booking, mirëpo pritet që së shpejti të shtrihet edhe për identifikimin e pronave të regjistruara në AirBnb dhe Tripadvisor.