Shqipëria

Deri në ç’sasi konsiderohet ‘përdorim vetjak’ doza e kanabisit?

Shkruar nga Anabel

12 Shtator 2023

Deri në ç’sasi konsiderohet ‘përdorim vetjak’

Siç mund ta keni lexuar, Enca u arrestua nga policia pasi në ballkonin e shtëpisë iu gjetën pesë vazo me kanabis. Këngëtarja thuhet se pretendoi që i ka për përdorim vetjak. Nisur nga kjo, deri në ç’sasi konsiderohet “përdorim vetjak” doza e kanabisit?

Çfarë përcakton legjislacioni shqiptar? Në nenin 283 të Kodit Penal për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve” shkruhet:

“Shitja, ofrimi për shitje, dhënia ose marrja në çdo formë, shpërndarja, tregtimi, transportimi, dërgimi, dorëzimi, si dhe mbajtja, përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla, të substancave narkotike dhe psikotrope, si edhe i farërave të bimëve narkotike, në kundërshtim me ligjin ose në kapërcim të përmbajtjes së tyre, dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet.”

Thënë kjo, ligji shqiptar nuk e ka parashikuar specifikisht sasinë e lëndës narkotike që duhet të konsiderohet si dozë për përdorim vetjak. Kodi Penal parashikon vetëm togfjalëshin “përveç rastit të përdorimit vetjak dhe në doza të vogla”, ku në të dyja rastet, dozë e vogël do të thotë, “sasi e vogël e gjetur”, dhe jo “sasi e ndarë në shumë doza të vogla”.

Pavarësisht se çfarë mund të pretendojë kushdo, i vetmi organ që specifikon nëse kemi të bëjmë me përdorim vetjak është gjykata. Gjykatat vlerësojnë, përmes një eksperti toksikologjik, se kriteret për përcaktimin e dozës së vogël janë:

1) sasia e lëndës narkotike apo psikotrope;
2) mënyra dhe rrethanat e mbajtjes së saj;
3) çdo detaj tjetër, siç mund të jetë mënyra e ruajtjes dhe e mbajtjes, gjetja e mjeteve për mbajtjen, ndarjen, përzierjen, paketimin (peshore, qese farmaceutike, thika, letër alumini etj) apo përgatitjen;
4) frekuenca mesatare e përditshme e marrjes së lëndës narkotike