Marredhenie

Beqare & krenare: 3 karakteristika që tregojnë se me gjithë qejf do të rrije single

Shkruar nga Anabel

30 Gusht 2023

Beqare & krenare: 3 karakteristika që tregojnë se me gjithë
Illustration: Thinkstock

Ndonjëherë janë standardet shoqërore ato që dashur pa dashur i shtyjnë njerëzit drejt martesës apo krijimit të familjes. Vjen një moment që ti e dëgjon më shumë se asnjëherë tjetër pyetjen: "A ke dikë në jetën tënde?" "Kur e ke në plan të martohesh?" Madje, ka edhe nga ato raste kur familjarët të thonë shumë qartë se "s'duan të të shohin vetëm për gjithë jetën" pa menduar më parë se çfarë ti do vërtetë. 

Për shumë njerëz, të qenit single është opsioni më i mirë për ta, pasi thjesht nuk e gjejnë veten te partneriteti apo martesa. Ashtu siç ka të tjerë që nuk duan ta imagjinojnë jetën pa një partner apo fëmijë. E mira është që çdo zgjedhje e stilit të jetës të pranohet dhe respektohet siç është. 

Si ta kuptosh që me shumë dëshirë, do të rrish single?

1. Fëmijët nuk janë prioritet për ty

Forcat biologjike ndikojnë te shumica e njerëzve dhe i shtyjnë ata drejt riprodhimit dhe krijimit të një familjeje. Gjithsesi, evolucioni dhe biologjia s'janë faktorët e vetëm që luajnë rol të rëndësishëm në këtë vendim. Shumë njerëz zgjedhin t'ia dedikojnë jetën gjërave të tjera dhe vendosin të mos kenë fëmijë. Deri këtu nuk ka asnjë problem, për aq kohë sa secili është i vërtetë me veten e tij. 

2. E ndien që je shumë i/e fokusuar te karriera

Katherine Hepburn dikur thoshte me plot gojën: "Unë do të kisha qenë një nënë e tmerrshme sepse jam qenie tmerrësisht egoiste."

Nuk ka diçka që nuk shkon me ty nëse ndien që je tërësisht i/e përqendruar te vetja. Në një mënyrë a në një tjetër, jemi të gjithë egoistë dhe është ok nëse në një pikë të karrierës tënde ti zgjedh të mos kesh interes në lidhjet romantike. Varet çfarë të përmbush dhe të bën ty të lumtur. 

3. Ti ndihesh më rehat kur kupton që nuk je brenda "rregullave që vendos shoqëria"

Në shoqërinë tonë, monogamia, martesa dhe jeta në familje janë normat e zakonshme. Kështu funksionon për shumicën e njerëzve, por jo për disa të tjerë. Ata ndihen mirë kur e shprehin ndryshe lirinë e tyre, por kjo duhet të vijë në mënyrë të natyrshme, pra të jetë pjesë e personalitetit të tyre fakti që ndiejnë se janë kundër turmës. 

Artikuj të sugjeruar: