Zjarret në Hawaii: kompania e energjisë përballet me kritika
Teksa zyrtarët në Hawaii vazhdojnë të punojnë me kujdes për të identifikuar 101 personat e konfirmuar të vrarë në zjarret që shkatërruan Maui-n, ndërmarrja lokale e energjisë Hawaii Electric Company është përballur me kritika për mosfikjen e energjisë në një zonë me rrezik të lartë për zjarr.
Zjarret, disa prej të cilëve ende nuk janë kontrolluar plotësisht, qenë më vdekjeprurësit në SHBA në më shumë se një shekull.
Oficerja e policisë në Denver qëlloi për vdekje njeriun që mendohej se mbante një thikë - por ishte një stilolaps
Një oficere policie në Denver qëlloi për vdekje një burrë që mbante një stilolaps, për të cilin gabimisht besoi se ishte thikë, thanë zyrtarët të hënën.
Pamjet e publikuara nga kamerat e trupit tregojnë një oficere që gjuan dy herë në drejtim të burrit që ishte në trotuar. Një fëmijë i vogël dhe një grua po qëndronin afër pas burrit, ndërsa oficerja qëlloi në drejtim të tij dhe ai ra në tokë.
Zyrtarët thanë se një fqinj kishte telefonuar policinë për të raportuar dhunën e mundshme në familje që përfshinte burrin, Brandon Cole, gruan e tij dhe djalin adoleshent, raportoi Denver Post. Matt Clark, një komandant policie, tha se fqinji raportoi se gruaja mund të ishte shtyrë nga karrigia e saj me rrota dhe se Cole "po ndiqte" djalin e tij.
Shefi i policisë së Denverit, Ron Thomas, i quajti të shtënat një "tragjedi të jashtëzakonshme" në një konferencë shtypi, por mbrojti vendimin e polices për të qëlluar. Prokurori i rrethit do të shqyrtojë ligjshmërinë e të shtënave, tha Thomas.
Sudan: më shumë se një milion njerëz janë larguar, thotë OKB
Më shumë se 1 milion njerëz kanë ikur nga Sudani në shtetet fqinje, pasi njerëzve brenda vendit po u mbarojnë ushqimet dhe po vdesin për shkak të mungesës së kujdesit shëndetësor pas katër muajsh lufte, kanë thënë Kombet e Bashkuara.
Luftimet midis ushtrisë sudaneze dhe Forcave të Mbështetjes së Shpejtë paraushtarake (RSF) kanë shkatërruar kryeqytetin Khartoum dhe kanë shkaktuar sulme etnike në Darfur, duke kërcënuar ta zhysin Sudanin në një luftë të zgjatur civile dhe të destabilizojnë rajonin.
Spanja akuzohet se ka dështuar me politikat për azilkërkuesit nga enklavat e saj
Tre dekada marrëveshjesh për migracionin midis Spanjës dhe Marokut kanë çuar në kufij të fortifikuar dhe pothuajse të padepërtueshëm për azilkërkuesit. Spanja nuk ka arritur të rihapë rrugë të sigurta dhe ligjore për njerëzit që kërkojnë azil në enklavat e saj në Afrikën Veriore, Ceuta dhe Melilla që nga pandemia e Covid-19, thanë organizatat joqveritare për Euronews (enklavë - një territor i rrethuar nga një territor më i madh, banorët e të cilit janë kulturalisht ose etnikisht të ndryshëm).
OJQ-të për të drejtat e emigrantëve kanë akuzuar autoritetet spanjolle për kryerjen e një politike "të paligjshme" dhe "diskriminuese" me dëbime kundër azilkërkuesve me origjinë sub-sahariane.