Aktori Julian Deda foli për mundësinë e rikthimit të “Apartamentit 2XL”, një nga programet hit të humorit.
Në një postim në rrjete sociale, nisur nga numri i njerëzve që sipas tij kanë kërkuar rikthimin e “Apartamentit 2XL”, ai u shpreh:
“Ajo që duhet të dini, është se realizimi i këtij spektakli nuk është 100% në dorën time, se po të ishte për mua, do lija çdo punë për t’u marrë me ‘Apartamentin 2XL’, aq e dua si format. Si aktor, jam ndjerë aq mirë në këtë spektakël, sa jam gati të bashkëpunoj me çdo televizion që ka mundësinë dhe dëshirën për ta realizuar."
Në vijim shtoi:
“Megjithatë, kjo nuk do të thotë se nuk mund të bëhet, nuk do të thotë se nuk është një opsion për sezonin e ri televiziv. Një gjë është e sigurt, ‘Apartamenti 2XL’ nuk është i lehtë për t’u realizuar, kërkon buxhet dhe organizim të mirëmenduar dhe këtë mund ta bëjë vetëm një televizion me këllqe.”
Deda la të hapur mundësinë e rikthimit të 2XL-së. “Prandaj të dashur miq, mos mendoni se nuk duam ta risjellim. Duam vetëm që kur të rishfaqet, të jetë në lartësinë e duhur, ashtu siç ju e dëshironi ‘Apartamentin 2XL’,” përfundoi ai.
Në fillim të qershorit, i pyetur nga Anabel Media mbi vërtetësinë e disa aludimeve nëpër portale – ku thuhej se në shtator “Klanifornia”, ku pjesë e kastit është edhe Julian Deda, nuk do të transmetohej më në Tv Klan – producenti Turjan Hyska konfirmoi duke thënë: “Po. Sezoni i fundit është ky.”