Bota

Pse punonjëset e seksit po protestojnë në Amsterdam

Shkruar nga Anabel

1 Prill 2023

 

Pse punonjëset e seksit po protestojnë në Amsterdam
Foto: Getty Images/Sylvain Sonnet

Punonjëset e seksit në Amsterdam po protestojnë kundër planeve të bashkisë për të mbyllur lagjen shekullore me dritat e kuqe.

Red Light District (De Wallen) është një destinacion i famshëm në Amsterdam, i karakterizuar nga dritat e kuqe, që i referohet prostitucionit të ligjshëm, ku gra të shumta qëndrojnë pas dritareve duke pritur klientë.

Punonjëset e seksit marshuan nëpër Amsterdam të enjten për të protestuar kundër planeve për t'i zhvendosur ato nga zona e Red Lights në një "qendër erotike" të madhe në periferi të qytetit.

Të veshura me maska për të fshehur identitetin e tyre dhe duke valëvitur çadra të kuqe dhe pankarta, dhjetëra gra shkuan në bashkinë e qytetit.

Pse punonjëset e seksit po protestojnë në Amsterdam
Foto: Kenzo Tribouillard/AFP/Getty Images

Autoritetet e Amsterdamit thonë se duan t'i lëvizin punonjëset e seksit për të reduktuar krimin dhe sjelljen e bezdisshme në qytet.

Bashkia ka theksuar se shkaku i problemit nuk janë punonjëset e seksit, por mbipopullimi nga turistët, kriminaliteti dhe probleme të tjera. Por sidoqoftë, ata duhet të gjejnë një zgjidhje.

Banorët pranë Red Lights janë ankuar prej kohësh për cilësinë e jetës në zonë, për shkak të zhurmave të turistëve.