
TikTok-u ka një ndikim të paparë te njerëzit, pasi nis trende të ndryshme makeup-i, veshjesh, por rikthen në vëmendje, edhe librat. Përmes një hashtag-u #BookTok me 114.6 miliardë klikime, si dhe #booktokrecommendations (138,9 milionë klikime) aplikacioni i momentit po shërben si një shitës fantastik për librat që sugjeron.
Shembulli më i freskët është autori Collen Hoover, i cili është kthyer në një emër mjaft të lakuar në TikTok. Tanimë, ai është një prej autorëve best-seller dhe shitjet janë rritur ndjeshëm nga sugjerimet e tiktoker-ave.
Por, me trendet e ndryshme, lexuesit në TikTok po sugjerojnë edhe autorë të jashtëzakonshëm, të cilët deri diku ishin lënë në harresë. Me mbishkrime si: “Kur ai më thotë ‘Të dua’, por Franz Kafka ka thënë: ‘Ti je thika që i ngul vetes”, apo me shprehje të ndryshme nga Albert Kamy, Fyodor Dostoyevsky, apo Anton Chekhov, njerëzit gjithnjë e më shumë po informohen dhe po rikthehen te leximi.
Sipas “New York Times”, TikTok-u është kthyer në një makineri shitëse për librat, duke shërbyer si një urë lidhëse shumë e mirë e lexuesit me librin.
“Tanimë, si një ndër forcat më të mëdha në letërsinë artistike për të rritur, BookTok ka ndihmuar autorët të shesin 20 milionë libra të printuar në vitin 2021”, u shpreh NPD BookScan, duke thënë se shitjet janë rritur me 50% dhe nuk ka asnjë formë tjetër e mediave sociale nuk ka pasur kurrë këtë lloj ndikimi në shitje.
Shitjet, përgjithësisht, janë përqendruar te librat për të rritur, të cilat i përkasin zhanerave të ndryshme. Romanca është mjaft e kërkuar, pa lënë pas klasikët si: “Lartësitë e stuhishme” nga Emily Brontë dhe “Getsbi i Madh”, nga F. Scott Fitzgerald.
Diçka tjetër shumë e rëndësishme? TikTok-u po promovon kultura të ndryshme dhe artin e tyre, ndaj nëpër #fyps po gëlojnë vepra të autorëve arabë, japonezë, indianë, e shumë të tjerë.
Dazai Osamu, një prej autorëve më të famshëm japonezë, po (ri)lexohet dhe këtë e tregojnë më së miri shitjet e librave, apo formatet pdf që shkarkohen ose blihen online.
Pra, nëse po kërkon disa sugjerime që do të të pëlqejnë shumë, ki parasysh hashtags #BookTok dhe #booktokrecommendations.
Artikuj të sugjeruar: