Mbjellja e më shumë pemëve mund të bëjë që më pak njerëz të vdesin nga temperaturat gjithnjë e më të larta të verës, sugjeron një studim.
Shtimi i zonave që mbulohen me pemë, nga mesatarja europiane 14.9% në 30%, mund të ulë disi temperaturën në qytete, gjë që mund të reduktojë vdekjet nga nxehtësia me 39.5%, sipas modelimit të parë të këtij lloji të 93 qytete europiane.
Autorja kryesore, Tamara Iungman, e cila punon në Institutin e Barcelonës për Shëndetin Global, tha: “Kjo po bëhet gjithnjë e më urgjente pasi Europa përjeton luhatje ekstreme të temperaturave të shkaktuara nga ndryshimet klimatike."
“Ne e dimë se temperaturat e larta në mjediset urbane shoqërohen me rezultate negative shëndetësore, si dështimi kardio-respirator, shtrimi në spital dhe vdekja e parakohshme.”
Mbjellja e më shumë pemëve në qytete duhet të jetë prioritet sepse sjell një gamë të madhe përfitimesh shëndetësore përtej reduktimit të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë, duke përfshirë reduktimin e sëmundjeve kardiovaskulare, demencës dhe problemeve me shëndetin mendor.
Sipas një studimi të fundit, këto zona reduktojnë përdorimin e ilaçeve për shëndetin mendor. Vizitat në parqe, kopshte dhe hapësira të tjera të gjelbra urbane mund të ulin përdorimin e medikamenteve për njerëzit që kanë probleme me ankthin, pagjumësinë, depresionin, presionin e lartë të gjakut dhe astmën.