Health News

A do t'i thyeje këmbët për t'u zgjatur? Ky burrë kaloi ‘nëpër ferr’ për disa centimetra më shumë

Shkruar nga Anabel

9 Nëntor 2022

A do t'i thyeje këmbët për t'u zgjatur? Ky burrë
Ilustrim: Hanna Melin/The Guardian

Çdo vit, qindra njerëz në mbarë botën zgjedhin një operacion të gjatë dhe shpesh të dhimbshëm për të zgjatur këmbët. Por, procedura komplekse nuk është pa rrezik dhe ekspertët e shëndetit thonë se disa kanë probleme afatgjata.

“Është interesante që njerëzit fiksohen me diçka që nuk mund ta ndryshosh… Epo, të paktën mendova se nuk mundesh,” tha për Guardian Lewis, një djalë që kreu operacionin për disa centimetra më shumë. Në adoleshencë, ai u zgjat deri në 165 cm dhe ndaloi së rrituri. “Ti je një djalë i mrekullueshëm – meriton të jesh më i gjatë,” i tha një grua dikur. Më pas, ai nisi të merrte ilaçe kundër depresionit.

Dy vjet më parë, Lewis pagoi një kirurg dhjetëra mijëra dollarë (operacione të tilla mund të kushtojnë deri në $120,000+) për t’u zgjatur 7.6 cm më shumë.

Kërkesa për zgjatjen e këmbëve, e njohur gjithashtu si zgjatja e shtatit, është në rritje, veçanërisht tek të rinjtë. Falë përparimeve teknologjike, ndryshimit të qëndrimeve ndaj procedurave kozmetike dhe një sipërmarrjeje në rritje midis kirurgëve ortopedë, klinikat në të gjithë botën po konkurrojnë për pacientët. Procedura u zhvillua në vitet 1950 nga një kirurg ortoped sovjetik i quajtur Gavriil Ilizarov, i cili donte të trajtonte frakturat komplekse të kockave dhe deformimet, si mospërputhja e gjymtyrëve.

Për të zgjatur gjymtyrët, shpohet një vrimë te kockat e këmbëve, të cilat më pas thyhen në dysh. Një shufër metalike instalohet në mënyrë kirurgjikale brenda dhe mbahet në vend nga një numër vidash. Shufra më pas zgjatet ngadalë deri në 1 milimetër çdo ditë, duke u zgjatur derisa pacienti të arrijë lartësinë e dëshiruar dhe kockat të shërohen.

Më pas, nevojiten disa muaj rehabilitim, fizioterapi dhe mund të duhet që pacientët të lëvizin me karrige me rrota. Procesi ka vështirësi, përfshirë dëmtime nervore, mpiksje gjaku dhe mundësi që kockat të mos bashkohen përsëri.

Sot, askush nuk e di numrin total të procedurave të kryera në mbarë botën, por mendohet se po arrin në pothuajse 1,000 çdo vit. 95% e pacientëve mendohet që janë meshkuj.

Në këtë përqindje, kuptohet qartazi ndikimi që stereotipet kanë ndikuar te mënyra si burrat perceptojnë veten. Komentet për burrat e shkurtër janë më pak dashamirëse se ato drejtuar vajzave të shkurtra (që përgjithësisht konsiderohen seksi nga djemtë).

Kur Lewis takoi njerëzit që e njihnin para operacionit, ai dalloi konfuzionin e tyre, por nuk iu kërkua të shpjegonte transformimin e tij. Të dilte me goca nëpër takime, papritmas, u bë shumë më e lehtë, megjithëse në një rast, një grua u tall me njerëzit më të shkurtër, para tij. Lewis më vonë i tregoi për operacionin. "Ajo tha, "Oh, nuk ishte e nevojshme ta bëje këtë!" Dhe unë thashë, "Ti fjalë për fjalë thjesht the se ne nuk do të ishim këtu tani nëse do të isha ai që isha." Marrëdhënia nuk zgjati.

Nëse ka diçka për të cilën Lewis ndien keqardhje, është fakti që shoqëria e bëri atë të ndihej keq. Sado mirë që ndihet tani, ai nuk do të preferonte të kishte shpenzuar aq shumë para për një operacion të rrezikshëm. “Trishtohem duke parë se sa i pavlerë u ndjeva. Do të doja që njerëzit të ishin, epo, pak më të sjellshëm.”