Sigurisht që ajo çfarë thua gjatë një interviste pune ka shumë më tepër rëndësi sesa çfarë ke veshur atë ditë, por kjo nuk e zbeh rëndësinë e mënyrës sesi paraqiteni.
Një veshje jo e denjë, sigurisht që do të ndikonte në perceptimin që intervistuesit do të krijonin rreth jush, prandaj çfarë zgjidhni kërkon kujdes. Ekzistojnë disa rregulla që askush s'do t'jua thotë me zë të lartë, por duhet t'i ndiqni teksa bëheni gati për prezantimin e parë me vendin potencial të punës.
Rregulli nr.1: Kur keni dyshime në lidhje me dress code-in e kompanisë, hidhini një sy rrjeteve të tyre sociale ose pyesni direkt rekrutuesit.
Duke parë sesi vishet stafi mund të krijoni një ide të përgjithshme sesi duhet të paraqiteni.
Rregulli nr. 2: Mos u shfaqni me pizhama apo pulovra të trasha nëse intervistën po e zhvilloni online.
E kuptojmë që jeni në shtëpi, por merreni aq seriozisht sa duhet takimin virtual. Një këmishë do të ishte zgjedhje e sigurtë.
Rregulli nr. 3: Veshja tregon sesa seriozisht po e merrni ju intervistën
Nëse visheni fare thjeshtë, ata do të supozojnë se keni bërë minimumin e përpjekjeve dhe se nuk jeni entuziastë për mundësinë që ju është dhënë: punën në kompaninë e tyre. Kur themi veshje e zakonshme e kemi fjalën për crop top, t-shirt i thjeshtë, etj. Një xhaketë mund ta ndryshonte perceptimin.
Rregulli nr.4: Më mirë më shumë serioze seç duhet sesa ekstravagante
Shmangini fundet e shkurtra, bluzat me bark jashtë, këmishat me rrudha, apo pantallonat shumë të ngushta. Vishni diçka të sigurtë dhe profesionale.
Rregulli nr. 5: Nëse rregullat e veshjes së kompanisë ju shqetësojnë, kjo është një shenjë që tregon se ndoshta vendi i punës s'është i duhuri për ju.
Kjo pasi ambienti dhe kultura e kompanisë është shumë e rëndësishme për këdo para se të nisë një punë të re. Të gjithë fillimisht duhet të ndihen mirë me veten për të dhënë më pas maksimumin e produktivitetit.
Burimi: Huffington Post