Art & Libra

'Kosherja' e Camillo José Cela: Jeta me gjithë shfaqjet e saj reale e të çmendura

Shkruar nga Anabel

30 Maj 2022

'Kosherja' e Camillo José Cela: Jeta me gjithë shfaqjet e

"Disa nga fytyrat në tavolinat rrotull e shikojnë gati me zili. Janë fytyrat e atyre që buzëqeshin urtë e butë edhe atëherë kur, thuajse pa e kuptuar as vetë, nuk u hyn në tru gjë prej gjëje. Njerëzit bëhen servilë nga budallallëku e, ndonjëherë, buzëqeshin, edhe pse thellë në shpirt ndiejnë një neveri të pafund, një neveri që vështirë se munden ta fshehin. Për hatër të njërit apo të tjetrit, mund të arrijnë deri dhe në vrasje; sigurisht që ka ndodhur më se një herë, të kryhen krime për hatër të njërit apo të tjetrit." - fragment nga libri "Kosherja" i Camillo José Cela.

“Kosherja”, botuar në shqip nga Pegi, është vepra më e njohur e shkrimtarit spanjoll dhe fituesit të çmimit Nobel, për 1989, Camilo José Cela-s. Romani portretizon jetën e përditshme të Madridit, rreth viteve 1940 dhe përqendrohet rreth një kafeneje të vogël e jetës së punonjësve e klientëve të saj. Ky vend është protagonisti kryesor, që shndërrohet në dëshmitar të tragjedive të vogla, fitoreve, grindjeve dhe pasioneve të njerëzve që jetojnë rreth e qark tij.

'Kosherja' e Camillo José Cela: Jeta me gjithë shfaqjet e

Camillo José Cela, është një ndër shkrimtarët më të mëdhenj spanjollë të shekullit XX, i nderuar me çmimin “Nobel” për letërsinë, më 1989, me motivacionin “për një prozë të pasur dhe të gjallë, që me një dhembshuri të përmbajtur krijon një vizion sfidues të cenueshmërisë së njeriut.  Ishte një autor shumë prodhimtar, i njohur si romancier, gazetar, eseist, lektor, drejtues i revistave të ndryshme letrare. Anëtar i Akademisë Mbretërore të Spanjës për 45 vjet dhe ka fituar shumë çmime, ndër ta edhe çmimin “Princ i Asturias” për Letërsinë, më 1987, si dhe Çmimin Servantes, më 1995.

“Kosherja”, që na vjen si dokument shoqëror i kohës dhe vendit të vet, por edhe si një
përrallë mallëngjyese e vuajtjes njerëzore – dhe triumfit njerëzor – nën një regjim
totalitar, është një vepër e shkëlqyer dhe origjinale, shkruan New York Times.

Pavarësisht kufizimeve të veta, “Kosherja” vijon të mbetet një nga dëshmitë më të mira
të pas Luftës Civile në Spanjë, shkruan El Pais.