
Përballimi i dhembjes si e vetmja mundësi për të ruajtur gjallë kujtimin e të shtrenjtëve tanë të humbur. Kështu mund të përshkruhet me një fjali libri “Kamila, si flutur” (Camille, mon envolée) i Sophie Daull, përkthyer në shqip nga Edmond Tupja.
Sophie Daull është aktore dhe shkrimtare, lindur më 1965. Studimet e hershme i ka kryer për muzikë në Konservatorin Kombëtar të Strasburgut dhe kjo i dha shtysën për të zhvilluar më tej talentin e saj artistik.
Si shkrimtare, ka botuar “Kamila, si flutur” që i vjen lexuesit shqiptar – libër që fitoi çmimin e parë për romanin debutues dhënë nga revista Lire; — La Suture (2016) dhe Au Grand Lavoir (2018), fitues i Çmimit Europian për Letërsinë, që do të botohet së shpejti edhe në gjuhën shqipe.
Në javët që pasuan vdekjen e së bijës, Kamilës, 16 vjeçe, e cila ndërroi jetë në prag të Krishtlindjeve, vetëm pas katër ditësh me ethe të tmerrshme, Sophie Daull filloi të shkruante.
Shkruan për të mos harruar Kamilën, vështrimin e saj “të çiltër, pa djallëzi, plot dritë”, çastet e tyre të bukura, të qeshurat e gëzimet; pasojat, zbrazëtinë, organizimin e lamtumirës së fundit, adoleshentët që duhen ngushëlluar, të tjerët, gjestet e të cilëve platisin shpirtin e saj të trazuar. Ajo shkruan për të qëndruar në këmbë, për të kaluar ca orë të ditës në shoqërinë e fëmijës së humbur, për të shmangur valën e mendimeve të liga.
“Dhembja e dashuria, mbi të gjitha, mbushin këto faqe që lënë një mbresë të pashlyeshme,” shkruan Le Parisien Magazine.