Me gjasë nuk është hera e fundit që do ta shihni Ilva Taren në ekran, mirëpo për momentin, gazetarja do t’i përkushtohet një rrugëtimi të ri profesional dhe personal. Në një deklaratë në Euronews Albania, ajo u shpreh se në 25 vite, ekranin e ka quajtur shtëpinë e saj dhe falenderoi shikuesit që i konsideron aleatë.
“Ju keni qenë aleati im në përballjet e vështira me realitetin dhe mentalitetin. Publiku ka qenë edhe kritiku dhe vlerësuesi im më i mirë. Veçanërisht, vajza të reja që sot janë nëna që kanë dashur të japin lajme dhe të kishin zërin dhe forcën time në publik. Edhe nëna e baballarë që projektonin tek unë dëshirën për të qenë përcjellësja e zërit të tyre. I falënderoj për çdo inkurajim që më ka motivuar përballë pengesave dhe nuk kanë qenë të pakta. E kam zemrën plot me mirënjohje edhe për të gjithë bashkudhëtarët, me të cilët kemi punuar për të bërë me të mirën për një gazetari cilësore.”
Burime për Anabel.al zbulojnë se Ilva do të zhvendoset në Shtetet e Bashkuara të Amerikës së bashku me familjen e saj, politikanin Eduard Selamin dhe dy fëmijët.
“Kemi kaluar shumë së bashku unë dhe ju dhe tani është momenti që unë ta mbyll këtë kapitull, për t’i dhënë më shumë kohë familjes sime, Eduardit, Melodisë e Thomasit. Është koha të nis një kapitull të ri, në një stacion tjetër të jetës sime. Iki e emocionuar, me urimet më të mira për të gjithë ju, ashtu siç ju më keni bekuar me urimet tuaja ne këto vite sfiduese, por edhe përmbushëse. Më e mira është përpara nesh.”
Në përfundim të fjalës së saj, gazetarja la të hapur mundësinë e rikthimit sepse “s’është hera e fundit” që shiheni me të.
“Do të mund të më shihni sërish me emisione dhe segmente speciale herë pas here. [Emisioni] 'Ilva Now' dhe ky kapitull suksesi me Euronews Albania mbyllet, por kjo s’është hera e fundit që shihemi bashkë. Faleminderit me zemër!” përfundoi ajo.