Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në deklaratën e mbajtur për mediat u shpreh se zgjedhjet parlamentare të 25 prillit ishin “një masakër elektorale” dhe se u përballën “me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale.”
“Të dashur shqiptarë, zonja dhe zotërinj, teksa muzgu i kësaj mbrëmjeje po bie mbi qytetet dhe fshatrat tona, mbi malet dhe luginat e Shqipërisë, një tjetër hije po avitet në zemrat dhe mendjet e shqiptarëve anembanë vendit dhe kudo ndodhen. A është ky muzgu i shpresës dhe ëndrrës për ndryshim për Shqipërinë demokratike, normale dhe të zhvilluar, për Shqipërinë europiane? Kemi shumë vite që luftojmë për demokracinë, u deshën shumë vite që të rrëzonim regjimin komunist, por ne ia dolëm. Ia dolëm sepse jemi një popull që beson te demokracia,” e nisi kryedemokrati Basha fjalimin e tij.
Në vijim ai u shpreh se “beteja për demokraci ka vijuar pandërprerë”, por mesa duket nuk mjaftoi.
“Edhe këto muaj, ne bëmë betejë për demokraci. Unë besova se falë fuqisë së mrekullueshme të popullit tonë, ne do ta fitonim dhe do t’ia kthenim Shqipërisë demokracinë. Por këtë herë, kjo nuk mjaftoi. Nuk mjaftoi sepse këto zgjedhje nuk kishin të bënin me demokracinë. Ne hymë në këtë betejë, jo me një kundërshtar politik, por me një regjim që bëri gjithçka për ta shkatërruar garën e ndershme elektorale. Ata ndryshuan Kushtetutën dhe Kodin Zgjedhor duke thyer të gjitha rregullat. Dhjetëra e mijëra vota të pavlefshme, numri më i madh ndonjëherë, dy herë më shumë se diferenca mes palëve, miliona euro të hedhura për të realizuar blerjen më të madhe të votës, duke shkaktuar deformimin më të madh të vullnetit të zgjedhësve. Ata përdorën milionat e koncensiove të korruptuara, vodhën të dhënat personale, përdorën kriminelët dhe bandat, kërcënuan dhe shantazhuan votuesit, administratën, gazetarët dhe mediat duke e bërë edhe më të madhe masakrën elektorale.”
Kreu i PD-së tha se kryeministri angazhoi “përfaqësues të krimit në listat e tij”, duke përmendur edhe rastin e Tom Doshit.
“Edi Rama ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë haptazi me përfaqësues të krimit si Tom Doshi, që kanë gjithë botën demokratike kundër. Ai kandidoi përsëri përfaqësuesit e krimit në listat e tij. Dhe pavarësisht kësaj, ne sollëm një arritje të madhe dhe të jashtëzakonshme për demokracinë në Shqipëri. Ne u bëmë më të fortë, jemi më të vendosur se kurrë. Kushdo që mendon se do të dorëzohemi, nuk na njeh mirë. Ne do ta vazhdojmë betejnë me gjithë fuqinë tonë. Do të luftojmë me gjjithçka për demokracinë, deri në fitore, sepse misioni ynë është më i madh se të gjithë ne.”
Kryetari i PD-së falenderoi mbështetësit, anëtarët e koalicionit, komisionerët, numëruesit dhe vëzhguesit si edhe shqiptarët që besuan te Partia Demokratike. Në fjalimin e tij, z. Basha nuk saktësoi nëse e njihte humbjen apo jo, mirëpo pranoi se PD ka marrë besimin e mbi 600 mijë qytetarëve.
“Mbi 600 mijë shqiptarë votuan për ne dhe sollën shpresë për Shqipërinë, të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e të moshuarit nga të gjithë vendi. Ju falenderoj për besimin dhe ju premtoj sot se ne nuk do t’ju zhgënjejmë kurrë. Do të luftojmë për ju, për qindra e mijëra shqiptarë që votuan për ne dhe për ata të cilëve nuk iu numërua vota. Zëri do të dëgjohet qartë, zëri juaj do të dëgjohet fort. Kjo është përgjegjësia ime, është detyrimi që kam para jush, para shqiptarëve dhe para Shqipërisë.”
“Beteja vetëm ka filluar dhe do ta çojmë deri në fund, deri në fitore. Demokracia do të fitojë. Shqipëria do të fitojë. Zoti e bekoftë Shqipërinë!” përfundoi ai.