Netflix sapo ka publikuar dokumentarin për hotelin famëkeq të Los Angeles, “Cecil Hotel” dhe vdekjen misterioze të Elisa Lam, e cila po qëndronte aty.
Hoteli me 19 kate u hap për herë të parë në vitin 1927. Pas Depresionit të Madh, zona në të cilën ishte vendosur u bë një hapësirë popullore për njerëzit e pastrehë dhe punëtorët e seksit dhe hoteli i biznesit dikur i lulëzuar, tani pati rënie.
Me lidhje me vrasësin serial Richard Ramirez dhe një varg vdekjesh tragjike dhe misterioze në ndërtesë (përfshirë Elisa Lam), hoteli shpejt mori pseudonimin “Hotel Vdekja” dhe në fakt, shërbeu si frymëzim për disa seri të “American Horror Story: Hotel”.
Pavarësisht nga e kaluara e errët, të ftuarit ende vazhduan të qëndronin në hotel, pasi ishte një vend ekonomik për turistët dhe njerëzit me pak para, ose thjesht sepse turistët s’e njihnin historinë e hotelit. Shumë të tjerë qëndronin me qera në hotel, për një kohë më të gjatë.
Po tani, çfarë po ndodh me hotel Cecil?
Tani për tani, Hotel Cecil/Stay on Main nuk është i hapur sepse po bëhen rinovime. Sapo të mbarojnë, ka të ngjarë që hoteli të vazhdojë të funksionojë normalisht.
Në 2007-ën u shit për 26 milionë dollarë dhe më vonë, një pjesë e Cecil, u ri-emërtua si “Stay on Main”. Në vitin 2014, hoteli u ble nga hotelieri Richard Born, i cili pagoi 30 milionë dollarë për të. Më pas u mbyll në 2017-ën për një riparim të plotë dhe ende nuk është rihapur.
Është planifikuar për një ndryshim të madh, duke përfshirë shtimin e një palestre, një salle të re pritjeje dhe një pishine në tarracë.
Rinovimet pritej të përfundonin në 2021-shin, por koronavirusi e vonoi këtë proces.
Sa kushton të qëndrosh në Cecil/Stay on Main?
Para se të mbyllej, Stay On Main ishte një hotel/hostel me 2 yje. Pas ndarjes së lartpërmendur, u krijuan dy hotele në një, pra: Cecil dhe Stay on Main. Ky i fundit u krijua “për turistin modern” dhe ishte më i shtrenjtë, por edhe me review (komente vlerësuese) më të mira.
Sipas letsbookhotel.com, tarifat bazë të dhomave për hotelin Stay on Main varionin midis 21 dhe 53 dollarë për një natë.
Sa vdekje kanë ndodhur në Hotel Cecil?
Burime të ndryshme thonë se ka 17 vdekje të raportuara që kanë ndodhur, përfshirë atë të Elisa Lam. Megjithatë, menaxherja e hotelit për periudhën 2007-2017, Amy Price, thotë se gjatë 10 viteve, ka parë “rreth 80 vdekje”.
Hoteli gjithashtu ka lidhje me vrasësit serial Richard Ramirez dhe Jack Unterweger, të cilët thuhet se qëndronin aty gjatë kohës që i fshiheshin policisë dhe bënin vrasje.
Burimi: LA Curbed, Pop Buzz, The Tab