
Pak ditë më parë, një grua e moshuar 89-vjeçare u dhunua fizikisht nga thjeshtri i të birit, i cili më pas e përdhunoi. Ngjarja e rëndë dhe tronditëse bëri bujë nëpër median e shkruar dhe atë audiovizive dhe siç rëndom ndodh me histori të tilla, ndër të tjera edhe delikate, nuk u trajtua brenda normave standarde të gazetarisë.
Siç mund ta keni parë, nëpër programe televizive, si për shembull “Me zemër të hapur” apo “Shqipëria Live”, u transmetuan pamje të intervistës së djalit të të moshuarës dhe vetë ajo, të cilët rrëfyen momentet e ngjarjes së rëndë. Disa nga televizionet më të ndjekura në vend, si Top Channel, Tv Klan dhe News24, transmetuan pamjet pa fshehur fytyrën e të prekurve të historisë, ndërsa Report Tv, Fax News dhe Ora News vendosën blur (pamje e mjegullt) te fytyrat.
“Media duhet të raportojë me kujdes dhe ndjeshmëri çështjet e krimit dhe dhunës dhe të trajtojë me maturi identifikimin e viktimave dhe dëshmitarëve të krimit. Në rastet kur ka të bëjë me sulme seksuale, media nuk duhet të identifikojë viktimat përveç rasteve kur japin pëlqimin me vullnetin e tyre,” shkruhet te Kodi i Etikës së Gatezarit përgatitur nga Këshilli Shqiptar i Medias, megjithëse ekspertët e fushës theksojnë se media duhet të tregojë kujdes për trajtimin e ngjarjeve të tilla, qoftë edhe në rastet kur personat e abuzuar aprovojnë transmetimin e pamjeve. Kjo për shumë arsye.
Në një komunikim me Euronews.al, ekspertë të medias dhe komunikimit ndanë mendimet e tyre për atë që e konsideruan “show mediatik” që “cënon rëndë parimet e etikës së gazetarit”.
“Nuk është më thjesht në dëshirën e mediave për të publikuar të dhëna të tillë, por është e dënueshme nga Kodi i Transmetimit, i cili është baza e veprimtarisë së mediave audiovizive. Edhe t’ia lëmë në dorë vetëm redaksive për të bërë pjesën etike, është pak e rrezikshme sepse në këto 20 vite ne kemi provuar, për fat të keq, që vetërregullimi i medias ka dështuar. Këshilla më e mirë që jepet në këto raste është që t’i bëjnë pyetjet vetes para publikimit të çdo rasti: Cila është vlera e informacionit që po jap? Kujt i shërbej me këtë lloj informacioni? Çfarë ndikimi ka informacioni që unë jap për audiencat?” – tha Valbona Sulçe, eksperte e Medias dhe Komunikimit.
Pedagogu i Departamentit të Gazetarisë, Zylyftar Bregu, u shpreh se nuk është kundër raportimit të rastit, por dënon mënyrën e trajtimit të tij:
“Një lajm mund të transmetohet, ashtu siç është transmetuar, duke i hequr vetëm pamjet e nënës së dhunuar. Në autoritetin e mediave audiovizive ka dy struktura që kanë përgjegjësi direkte për situatën. Është Këshilli i Etikës, që është një organizëm i zgjedhur nga bordi, pak a shumë i pavarur, pak a shumë se kur s’është bordi i pavarur, si mund të jetë Këshilli i Etikës dhe [struktura tjetër është] Drejtoria e Programacionit, që, të dyja bashkë ose veç e veç, e kanë për detyrë ligjore për ta trajtuar këtë gjë. Kur shkruani, imagjinoni që në anën tjetër të kompjuterit dikush tjetër është duke shkruar për ju. Sikur të jeni ju subjekti i lajmit, a do ta donit këtë raportim?”
Erlis Çela, shef i Departamentit të Shkencave të Komunikimit në Kolegjin Universitar “Bedër”, u shpreh se ka një përplasje mes asaj që gazetarët mësojnë në auditore dhe praktikës së punës për shkak të presionit të pronarëve të mediave, por sipas tij, nuk është justifikim për mënyrën jo të duhur të raportimit:
“Ne kemi përgjegjshmëri dhe përgjegjësi si media që t’i respektojmë këto norma. Është e prapanueshme kërkimi i detajeve vetëm e vetëm për të krijuar pak sensacion dhe për të ngjallur pak diskutim. Unë e kuptoj që ka një përplasje të madhe midis normave që gazetarët mësojnë në auditoret e universiteteve dhe praktikës që ata kanë në redaksi dhe shpesh këto mund të vijnë për shkak të presioneve nga eprorët e tyre apo pronarët e mediave, por gjithsesi ky nuk është një justifikim. Nuk duhet të gjendet një alibi e tillë për të justifikuar këtë lloj raportimi.”
Trajtimi aspak profesional i abuzimeve seksuale është një çështje që është diskutuar shpeshherë dhe vetëm brenda një viti, ku vihet re se shkeljet e rënda shkojnë përtej të drejtës së gazetarit për të kërkuar informacion.