Pas përfundimit të natës finale të “Festivalit të Këngës”, ku Anxhela Peristeri u shpall fituese e vendit të parë, disa artistë konkurrentë të këtij edicioni nuk kanë rënë dakord me çmimet e para.
Rosela Gjylbegu, e cila u prezantua me “Vashëzo”, postoi një foto të shkrimtarit të ndjerë Dritëro Agolli shoqëruar me dy vargje nga poezia e tij “Në vendin tim e në vendin tënd”: “Në vendin tim e në vendin tënd/ Një i çmendur, një vend e çmend”.
Përpos kësaj, ajo ka pëlqyer edhe një koment ku shkruhet se është padrejtësi që kënga e saj nuk u vlerësua.
Klinti Çollaku, i cili nuk kaloi në natën finale, tha: “Nuk mund të rri dot pa e shprehur zhgënjimin e dyfishtë kur pashë çmimet, e më vjen keq nuk është personale! Por është për të qeshur sinqerisht, jo me këngën fituese, por me çmimin e dytë dhe të tretë. Ky është mendimi im i sinqertë. Më vjen keq për jurinë që kanë shitur veten për të dhënë ato dy çmime. Uroj t’i njohë publiku ato këngët.”
Vendi i dytë iu dha Sardi Strugajt për këngën “Ka me t’ba me kajt”, ndërsa vendi i tretë iu dha këngëtares Festina Mejzini me “Kush je ti dashuri”,
Enxhi Nasufi ironizoi Anxhela Peristerin. “Kësaj i thonë me rrejt veten me presh! Realisht nuk e di kënaqësinë dhe energjinë e një çmimi të cilin e di që do e fitosh që pa nisur gjë! Ku u zhduk emocioni i të kënduarit, emocioni i të priturit! Dhe më besoni që e kam me fenomenin i cili po bëhet dhe më i shëmtuar dita-ditës. Kjo gjëja nuk ka të bëjë me mua si artiste, por me të gjithë,” tha ajo ndër të tjera.
Në një tjetër postim, ajo shkruan, “Gëzuar Baftjar! Një kuriozitet kisha unë. Kush ishte miza dhe kush bleta? Herë tjetër futini ndonjë kurs aktrimi kur merrni çmimin se s’di.” Ajo i referohet një postimi të Anxhela Peristerit të bërë fill pas deklaratës së Enxhit për zërat që shpallën Anxhela Peristerin fituese, pa filluar festivali. Sipas Enxhit, ishte Anxhela ajo që “e shpërndau emrin lart e poshtë”. Pas kësaj, Anxhela reagoi me “Sado që bleta t’i shpjegojë mizës se lulja është më e mirë se m*ti, miza nuk do ta kuptojë”.
Xhesika Polo nuk ka reaguar në mënyrë të drejtpërdrejtë, por ka rënë dakord me Klinti Çollakun.
Në fund të nëntorit, qarkulluan zëra se Anxhela do të ishte fituese e “Festivalit të Këngës”, të cilat këngëtarja i mohoi. Në lidhje me kundërshtimet e fundit, ajo nuk ka reaguar.
Artikuj të rekomanduar: