
Po, është zyrtare: Taylor Swift dhe Travis Kelce janë fejuar dhe fansat mezi po marrin frymë nga emocionet. Çifti që na ka bërë të besojmë sërish te romanca në kohën e TikTok-ut, ndau lajmin me një postim të përbashkët në Instagram: mes luleve, buqetave dhe një unaze me gur klasik që ndriçon si karriera e të dyve bashkë së fundmi.
Në përshkrim, Swift shkruan: “Mësuesja e anglishtes dhe mësuesi i fizkulturës do martohen.” Dhe nëse kjo nuk është mënyra më Taylor për ta lajmëruar një fejesë, s’dimë çfarë është.
Të dy janë 35 vjeç dhe historia e tyre nisi verën e vitit 2023, kur Travis tentoi, pa sukses, t’i jepte Taylor-it një byzylyk me numrin e tij gjatë një koncerti të "Eras Tour" në Kansas City. Një përpjekje e dështuar që doli të ishte fillimi i gjithçkaje.
Pas disa javësh “heshtjeje taktike”, Taylor u shfaq në një ndeshje të Chiefs, në suitën e mamit të Travis-it, duke brohoritur nga stadiumi bashkë me të. Që aty nisi romanca, një telenovelë me episode romantike nga Montana në Londër, nga stadiumi në skenë dhe tani drejt altarit.
Çifti e ruajti lidhjen për ca kohë "nën radar", por nuk zgjati shumë derisa u kthyen në temën më të diskutuar të çdo podcast-i, çdo tabloid-i dhe çdo grupi fansash online.
Gjatë vitit që kaloi, ata udhëtuan nëpër botë për turneun e Taylor Swift-it dhe u treguan shuuumë më të hapur për dashurinë e tyre.
Tani, me një unazë vezulluese dhe një propozim mes një kopshti me lule që duket si i dalë nga ndonjë klip i Taylor-it, ata janë zyrtarisht të fejuar.
Mësimi për sot? Nëse nuk të del fati me byzylykun e parë, provo sërish. Ndoshta një ditë e gjen veten në një kopsht me lule, me Taylor Swift-in pranë dhe një unazë në dorë.