Ish-deputeti i Partisë Socialiste Marko Bello është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, pas ndërlikimeve të shkaktuara nga infektimi me Covid-19.
Bello qëndronte i shtruar në një spital në Turqi prej 23 ditësh ku po merrte mjekim më të specializuar.
Marko Bello ishte deputet i PS-së për 3 mandate, nga viti 2001-2013 si edhe ka shërbyer si ministër për Integrimin Europian dhe ministër Shteti për Koordinimin Qeveritar. Në periudhën 1997-2000, Marko Bello ka shërbyer si ambasador i Shqipërisë në Rumani dhe më pas zv/ministër i Mbrojtjes.
"Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti iu dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes!
Ngushëllimet më të ndjera! Përherë i paharruar në kujtimet tona!
Lamtumirë i shtrenjti ynë Marko Bello." - shkroi presidenti Ilir Meta.
Burimi: Euronews.al