Një grua që sakrifikoi karrierën si avokate që të kujdesej për fëmijët dhe familjen fitoi një kompensim që iu shtua ndarjes së barabartë të pasurisë së grumbulluar gjatë martesës pas divorcit nga bashkëshorti.
Vendimi i gjykatës mund të shërbejë si precedent në raste të tjera ku njëri partner ka lënë pas dore karrierën për të mirën e familjes.
E diplomuara në Cambridge pati debate të shpeshta me bashkëshortin e saj milioner, gjithashtu avokat, në lidhje me financat.
Një gjykatës vendosi se çifti i martuar prej dhjetë vitesh dhe prindër të dy fëmijëve, duhet të ndajnë pasurinë prej 10 milionë paundësh (1.4 miliardë lekë) në mënyrë të barabartë, por gruaja duhet të paguhet edhe 400 mijë paund (57.2 mln lekë) të tjerë si kompensim për sakrifikimin e karrierës në drejtësi.
Gjykatësi tha se gruaja vuajti një disavantazh të gjeneruar nga marrëdhënia, ndërsa bashkëshorti pati një karrierë të shkëlqyer.
“Gruaja e pa veten si prindi që do të kujdesej për fëmijët,” tha ai. “Karriera e bashkëshortit mori më shumë rëndësi. E di që është e rrallë të ketë disavantazh domethënës të gjeneruar nga marrëdhënia, por ky është një rast i rrallë.
“Kam dalë në përfundimin se 400 mijë paund është një shifër e pranueshme si formë kompensimi. Vlera i shtohet gjysmës së pasurisë që i takon gruas.”
Në teori, kjo mënyrë gjykimi duhet të aplikohet në rastet e divorcit ku njëri prind lë karrierën për familjen, por shanset që të ndodhë janë të pakta.
Burimi: The Guardian