Elida, 28-vjeçarja nga Burreli që u bë pjesë e emisionit "Dua të të bëj të lumtur" pohoi se fundmi se i gjithë takimi dhe surpriza mes saj dhe bashkëshortit ishin thjesht komplot, për të marrë vëmendje mediatike, me qëllim marrjen e ushqimeve dhe veshmbathjeve. (*Lexo këtu historinë e plotë)
Pak më parë, spektakli "Dua të të bëj të lumtur" ka reaguar përmes një postimi ku sqaron të gjithë ngjarjen. Të njëjtin reagim, e ripostoi Arbana Osmani, moderatorja e programit, në Instastory-n e saj.
"Pothuajse një vit e gjysmë më parë, zonja na ka shkruar në adresat tona zyrtare duke kërkuar të bëhej pjesë e programit. Gazetarët tanë kanë patur disa takime e biseda me të, për të sqaruar historinë e saj. Në të gjitha bisedat e bëra përreth 3 muaj, ajo ka rikonfirmuar disa herë të njëjtin version, atë të marrëdhënieve problematike me bashkëshortin. Në të gjitha takimet, ajo ka theksuar nevojën për të rinisur edhe njëherë marrëdhënien mes tyre, përmes një surprize që do të bindte bashkëshortin e saj që raporti të funksiononte.
Të dy bashkëshortët, para hyrjes në studio kanë firmosur me vullnetin e tyre të lirë, në bazë të së cilës deklarohen me përgjegjësi të plotë dhe të vetëdijshëm për deklarimet dhe detyrimet e ndërmarra, ku mes të tjerash thuhet se "vërtetoj se kam bërë verifikimin e fakteve që i përkasin kësaj deklarate dhe të gjitha çështjeve lidhur me të" dhe "jam në zorësi të plotë juridike për të vepruar dhe e pranoj këtë deklaratë personale". Të dy gjatë programit kanë pranuar probleme në çift dhe ndonëse ne nuk e justifikuam dhunën verbale a fizike, pas transmetimit ka patur një reagim nga (AMA)."- sqarohet ndër të tjera.
Përsa i përket "ndihmave" apo fenomenit të dhunës, "Dua të të bëj të lumtur" bashkë me Arbana Osmanin, sqarojnë se:
"Zonja Elida, ka komunikuar disa herë me stafin e programit duke i dorëzuar ndihmat në ushqime dhe bonusin e qirasë, ofruar nga shikuesit e Dua të të bëj të Lumtur, kohë në të cilën marrëdhënia mes tyre ka qenë paqësore. Në komunikatat e muajve në vijim, zonja ka rrëfyer se ka kërkuar sërish urdhër mbrojtjeje ndaj bashkëshortit. Gazetarët i kanë përcjellë zonjës kontaktet me shoqatat në ndihmë të grave për të marrë aisistencë profesionale e ligjore. Programi vijon misionin e tij për t'ju dhënë mundësinë familjeve të ribashkohen, duke u kthyer në urë komunikimi mes dy palëve. Programi, s'mundet dhe as nuk synon të zëvendësojë organet shtetërore, në hetimin, ndjekjen dhe përgjegjësinë penale për deklaratat publike të qytetarëve."
Gjatë një përballje live në “Historia ime”, të bashkëshortit me Elidën, kjo e fundit ndër të tjera foli edhe për pjesëmarrjen e tyre në “Dua të të bëj të lumtur”.
“Se harrova, edhe emisioni që është bërë herën tjetër, është bërë me dijeni të Arianit, sepse na kanë paguar dy muaj qira dhe na kanë sjellë tre muaj ushqime në shtëpi,” tha ajo. “Po, kam gënjyer. Kemi rënë në komplot me Arianin që dolëm në emision. Thjesht që të paguanim qiranë dhe të merrnim ushqime.”