Jemi zyrtarisht në sezonin e nostalgjisë. Ngaqë për një muaj përfundon dekada, të gjithë kthejnë sytë pas, por ca po shohin më larg se të tjerët. Për shembull, "Soiree" kishte të ftuar dje mbrëma emrat që sundonin muzikën e viteve 2000: Anila Mimani, Rati, Xhavit Dedej, Andi Shkoza dhe 2Die4. Siç është mëse e qartë, këtu do të flasim për grupin e parë të hip-hop-it në Shqipëri.
2Die4, që patën sukses të jashtëzakonshëm përgjatë karrierës së tyre jetëshkurtër, 1999-2005, kanë gati një album të ri dhe kanë xhiruar videoklipin e parë. Pra, repi i vjetër do të konkurrojë haptazi me të riun. Vetëm se gjërat kanë ndryshuar që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri. Për çunat e grupit, Bledi, Niku, Toni, stili që dominon tani s’ka rëndësi fare. Ata nuk e kanë studiuar tregun. Duan t’i japin dëgjuesit atë që mendojnë ata se ka vlerë dhe përcjell një mesazh. “Këtu dallohet artisti nga biznesi.”
Për reperët e sotëm, Niku tha se bëjnë muzikë të bukur, por “nuk më japin një mesazh.” Ai veçoi Noizyn dhe Ledrin. Ndërsa Bledi milioneri – kështu njihej – veçoi Noizyn, Ledrin dhe Capital T, për suksesin komercial dhe punën e bërë.
Ndërsa për Taynën thanë thjesht: “Jo, jo, jo.”
Gjithashtu, disa herë çunat e Fierit përmendën G-Up, një reper që nisi karrierën rreth 2010-s, që është aktiv njëherë në kaq.
Për një xhiro në të kaluarën, dëgjoni intervistën e 2Die4.
Për rikthim real në kohë, “Më pëlqen çfarë.”