Gjatë Panairit të Librit në Tiranë, Ronaldo Sharka i emisionit Thumb On të Aulona Mustës dhe Fatma Haxhialiut, i tha Renato Mekollit (qëllimisht) se libri i tij “Receta për pesë minuta” i ka pëlqyer shumë.
“Recetë për pesë minuta? Nuk ka libër që të bëhen recetat për pesë minuta. Është e pamundur,” tha shef Renato buzagaz. “Kush e ka bërë këtë [libër me receta për pesë minuta]? Nuk e di gjë unë. Unë sa futem në kuzhinë dua një orë,” përfundoi Mekolli, që ka botuar “Sekretet e shijes” dhe “50 shijet e pastave”.
Informojmë shef Renaton se këtë libër me receta e ka bërë Arbana Osmani, pas suksesit me librin e parë “Receta për njerëzit që dua”. Për hir të së vërtetës, në një sondazh të Anabel, libri i dytë i Arbanës ishte më i preferuari për t’u blerë. Arsyeja nuk është e vështirë për t’u kuptuar.
Në një kohë kur disa njerëz nuk dinë të gatuajnë e të tjerë thjesht nuk kanë mjaftueshëm kohë për t’iu përkushtuar kuzhinës, formate të tilla përqafohen me shpejtësi.
Në fakt, Arbana nuk ka bërë ndonjë shpikje të madhe dhe origjinale sepse në internet ka pafund emisione, libra dhe artikuj në lidhje me recetat për pesë minuta. Kanali në YouTube 5-Minute Recipes (Receta për pesë minuta) ka më shumë se 4.2 milionë ndjekës (subscribers), shifër që vërteton suksesin e këtyre gatimeve.

Nga ana tjetër, edhe kolegu i shef Renatos, britaniku Jamie Oliver, ka realizuar emisione dhe libra për gatimet 15 apo 30 minuta, ku përcaktorët “për 5/15/30" janë një mënyrë për të thënë se kemi të bëjmë me receta (lexo: jo fast food) që nuk kërkojnë shumë kohë dhe përkushtim. Sigurisht që këto janë gatime për njerëzit që nuk e kanë profesion kuzhinën ose dinë shumë pak rreth saj, sepse të gjithë biem dakord me Mekollin kur thotë se "një gatim nuk zgjat kurrë pesë minuta".