KESHILLA PER BLERJET TUAJA
Top List

Ky panair i librit do të jetë Panairi i VIP-ave

Shkruar nga Anabel

6 Nëntor 2019

Për një popull që mezi lexon, panairi i përvitshëm i librit është gjithmonë i tejmbushur, sidomos ditët e para. Këtë vit, do të ketë edhe më shumë njerëz, jo sepse u zgjua papritur etja për letërsi, por sepse figura të famshme të showbizit dhe jetës shoqërore në vend do të vijnë si autorë.

Blendi Fevziu, i cili ka shkruar një sërë librash historikë, vjen për herë të parë me një krijim gjysmë biografi, gjysmë trillim, me ndihmën e UET Press. Quhet “Tirana e nonës” dhe synon t’i shpaguajë borxhin që Fevziu ndjen se u ka  tre grave që formësuan fëmijërinë e tij.

“Është një libër për fatet e tri personave, që unë i njoha në fillimet e mia, po aq sa një libër për transformimin e Tiranës. Madje, më shumë sesa një libër, është një borxh. Një prej atyre borxheve që njeriu duhet t’i kthejë në jetë, edhe pse jo gjithnjë ia arrin. Ato ishin tri gra të moshuara që shënjuan nisjen time në jetë. Investuan gjithçka iu kishte mbetur nga dekada të trazuara të jetës së tyre te një fëmijë,” tregon Fevziu. “Në radhë të parë, rrëfimet e mrekullueshme për qytetin, pushtetin, fuqinë, dështimin, modestinë dhe zvetnimin. Sot mendoj se ato kishin nevojë t’ia thoshin dikujt. Ishte një lloj borxhi që e mora pa dashje përsipër, pa e ditur. Por, pa dyshim, me besimin se një ditë do ua tregoja sa më shumë njerëzve. Dhe po e bëj sot. Me këtë libër.”

Elia Zaharia punon prej më shumë se dy vitesh për të sjellë pranë lexuesit librin për fëmijë “Trëndafili i Bardhë.” Zaharia rrëfen historinë e Mbretëreshës Geraldinë në stilin e një përralle klasike. Posaçërisht për “Trëndafilin e Bardhë” janë krijuar edhe ilustrime. Për fat të keq, libri, i cili do të botohet nga Albas, nuk është promovuar mjaftueshëm, por ne që i kemi hedhur një sy mund të themi me siguri se është një gjetje e jashtëzakonshme dhe se do të jetë një shtim fantastik në historinë dhe kulturën e vendit.

Dudaj sjell pranë lexuesit tre libra nga autorë të famshëm; Angela Martini, Andi Bejtja dhe Ornela Vorpsi. Së pari, Angela Martinit debuton si autore me librin “Love, Hope, Light” ku rrëfen historinë frymëzuese të nënës së saj dhe ndikimin që ka ajo grua në mënyrën si Angela navigon dhe percepton realitetin. Pas dy vitesh punë dhe promovimi në Amerikë, modelja njoftoi se kush ka dëshirë mund ta blejë dhe ta firmosë kopjen e tij gjatë Panairit të Librit.

Andi Bejtja vjen me një pëmbledhje poezish dhe tekste këngësh nën titullin “Atdhedashuri.” Të njëjtin titull mban edhe poezia e gazetarit që Edi Rama e konsideron si një ndër më të bukurat e letërsisë shqipe. Nga pena e Bejtjes ka dalë edhe teksti i “Të dua,” performuar nga Inva Mula dhe Ardit Gjebrea. Në 50 poezi, ai synon të thotë gjithçka.

Ornela Vorpsi, e cila bëri shumë bujë pranverën e vjetshme me ekspozitën në hollin protokollar të Kryeministrisë, pranoi më në fund të botonte në shqip “Vendi ku nuk vdiset kurrë.” Prej pesëmbëdhjetë vitesh, ky libër lexohej në tetëmbëdhjetë gjuhë të botës, por për arsye personale, jo në gjuhën nënë të autores. “Një libër për të mos u humbur, një libër që të provokon, të bën të mendosh, të të pëlqejë pa masë e mbase dhe ta urresh,” thotë Arlinda Dudaj për “Vendin ku nuk vdiset kurrë.”

 
 
 
 
 
View this post on Instagram
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 
 

A post shared by Arlinda (@arlindadudaj) on

Gjashtë vite pas debutimit si autore e një libri me receta, Arbana Osmani rikthehet me “Receta për pesë minuta.” Këtë herë, ajo nuk do të bashkëpunojë me asnjë shtëpi botuese, por do ta realizojë vetë gjithë zinxhirin prodhues të një libri. Me ndihmën e miqve të saj, Osmani u kujdes për dizajnin, fotot, shtypjen, lidhjen, shpërndarjen etj. Madje, në panair do të ketë stendë të veçantë.

 

MOS I HUMBISNI