Jeta në vendet e Lindjes së Mesme nuk është aq e zezë sa përshkruhet në mediat perëndimore. Jo se nuk mungojë terroristët, luftrat, konfliket mes shteteve dhe problemet si korrupsioni dhe mosrespektimi i të drejtave të njeriut, por situata nuk është aq e errët sa duket. Shembulli më i fundit, për ne europianët, për ne shqiptarët, na vjen si shuplakë nga libanezët.
Është gati e pabesueshme si një vend në Lindjen e Mesme mund të ngjasojë kaq shumë me Shqipërinë, por në të njëjtën kohë të jetë edhe kaq ndryshe.


Pse njësoj? Ngjashmëria nis që nga gjeografia, ku vihet re ndërthurja e relieveve kodrinore dhe malore; moti me tipare të klimës mesdhetare është i pranishëm në të dyja vendet. Tiparet e vendeve mesdhetare Libani i shfaq edhe në kuzhinë, të cilën Blendi Fevziu – që ka udhëtuar në shumë vende të botës – e cilëson si kuzhinën më të mirë në botë.

Po kështu, si Shqipëria dhe Libani, janë dy vende që së fundmi po kthejnë sytë nga kinematografia; kujtojmë që regjisorja libaneze Nadine Labaki u nominua për Oscars.


Të rinjtë e Libanit, ashtu si shqiptarët, janë të dhënë pas modës. Pëlqejnë të vishen bukur dhe të ndjekin trendet e modës, paçka se varfëria është një nga problemet më të mëdha në vend. Nëse togfjalëshi “moda libaneze” nuk ju bind, mjafton të përmendim dizajnerët si Elie Saab apo Zuhair Murad dhe për t’i vënë kapakun: Amal Alamuddin, e njohur si Amal Clooney.
Sikur të mos mjaftonin këto, shqiptarët dhe libanezët ndonëse larg në distancë gjeografike, kanë ecur në të njëjtën rrjedhë historike, duke u përballur vazhdimisht me pushtimet e perandorive të mëdha, si ajo Osmane. Për dekada me radhë, Shqipëria dhe Libani kanë qenë të izoluar nga bota, qoftë për shkak të sistemit komunist në rastin tonë, qoftë për shkak të lufrave me shtetet fqinje.
Të pranishme në të dy vendet janë korrupsioni i lartë, mosrespektimi i të drejtave të disa komuniteteve të caktuara si LGBTQ+, varfëria dhe borxhet e shtetit.
Megjithatë, pavarësisht të gjithave, Libani dhe Shqipëria janë shumë ndryshe në një pikë të vetme, që për ironi është më e rëndësishmja – fuqia për të ngritur zërin kundër padrejtësive.
Së fundmi, Libani u përfshi nga protesta masive kombëtare, të cilat nisën për shkak se qeveria planifikoi të taksonte thirrjet në WhatsApp. Për shkak të borxheve të shtetit, qeveria mendoi të vendoste një taksë prej 6 dollarësh në WhatsApp si një mënyrë për të përmirësuar situatën.
E çfarë ndodhi? Ndryshe nga ç’jemi mësuar – ku protestat organizohen nga partitë politike – të rinjtë libanezë nisën protestat, që përshkallëzuan në të gjithë vendin. Në vetëm pak ditë, nga protestë që nisi për WhatsApp-in, libanezët protestojnë sot të vetëm, pa dallim feje a bindje politike, për një të ardhme më të mirë.
“Kur linda në Liban, prindërit më quajtën Amal – që do të thotë ‘shpresë’ – duke shpresuar për ditë më të mira për vendin tonë në luftë,” shkroi Amal Clooney për An-Nahar, gazetë e përditshme në Liban. “Për më shumë se katër dekada, unë nuk kam patur kurrë shpresë për vendin tonë më shumë sesa sot.”
“Shoh me krenari sesi rinia e Libanit drejton protestën për një vend më të mirë; gratë tregojnë vendosmërinë e tyre për të bërë ndryshimin. Të gjithë këndojnë, kërcejnë dhe bashkojnë krahët së bashku. Jo si njerëz të një komuniteti, të një partie; por si libanezë.”
Protestuesit, të cilët treguan zemërimin e tyre për dështimin e qeverisë për t’u marrë me probleme si ekonomia, rritja e çmimeve, papunësia dhe shërbime të dobëta publike, ia dolën që ta detyronin kryeministrin Saad Hariri të jepte dorëheqjen. Por ata kanë vendosur të mos ndalen, sepse largimi i tij nuk e përmirëson një sistem të kalbur deri në rrënjë.
Nëse e ndalim krahasimin në këtë pikë, është për të ardhur keq se sa shumë merremi me politikë, sa shumë flasim për të, sa shumë i diskutojmë të metat e saj e sa pak dimë ta kundërshtojmë. Të ngrejmë zërin si shqiptarë, jo si përkrahës të një x partie që dalim nëpër protesta për të mbrojtur apo për të kërkuar një vend pune. Protestat masive në Liban janë si pasqyrë që sado të përpiqemi të krahasohemi, zor se do të gjejmë pasqyrimin tonë. Të paktën jo për momentin.