Eja shohim pak Tv

A ishte e nevojshme puthja gay te Top Channel?

Shkruar nga Anabel

1 Nëntor 2019

A ishte e nevojshme puthja gay te Top Channel?

Elton Ilirjani, sipërmarrës që drejton një kompani të madhe rekrutimi në Amerikë dhe Shqipëri, prej gushtit të këtij viti, filloi, i vetëm, një nismë ndërgjegjësimi për të drejtat e personave transgjinorë në Shqipëri. I ftuar pasditen e sotme në “Ftesë në pesë”, Ilirjani foli gjerë e gjatë rreth fushatës së tij (përdorimi i buzëkuqit), që është komentuar jo pak kohëve të fundit.

Pasi shpjegoi (me të drejtë) se të drejtat e personave transgjinorë dhe kujtdo tjetër të LGBTQ+ duhen respektuar, në fund të intervistës, Ilirjani ftoi një mikun e vet të maskuar, të cilin e puthi në buzë. Arsyeja? Për të thënë që nuk është tabu të puthesh me dikë të të njëjtit seks.

Siç e kemi theksuar në këtë artikull mbi debatin Kujtim Gjuzi-Linda Rei, personat e komunitetit LGBTQ+ (që nuk duan asgjë tjetër veçse të shohin punën e tyre në paqe) meritojnë të kenë të drejta të barabarta dhe të trajtohen me të njëjtin respekt si gjithë të tjerët.

Por Ilirjani, siç deklaroi në “Ftesë në pesë”, do të largohet në Amerikë fill pas puthjes në emision, atje ku drejton biznesin e tij prej kohësh. Në këtë pikë, problemi i asaj që ai e shet si fushatë ndërgjegjësuese, qëndron te fakti se nuk ka as fuqinë më minimale për të ndryshuar mentalitetin e atyre që kanë nevojë të binden se të drejtat e LGBTQ+ duhen respektuar.

Pra, nisma e tij për këtë komunitet, me të cilin duhet thënë se Ilirjani nuk është pajtuar në disa parime bazë siç është krijimi i familjes, pavarësisht dëshirës së tij të mirë për të ndryshuar situatën, mbetet një nismë-shterpë, e pafuqishme dhe aspak e mirëstrukturuar. Ose të paktën është shumë larg mënyrës si ai po e trajton prej muajsh, nga njëra intervistë në tjetrën.