Së fundmi, gjithnjë e më tepër, po vihet re një frymë e re te një pjesë e programeve televizive, ku prezantues/e nuk është më ai/ajo që del dhe lexon skaletën e përgatitur nga skenaristët. Në fakt, një përpjekje për ta nxjerrë figurën e prezantuesit jashtë kornizave të skenës ka patur edhe më parë, kryesisht e praktikuar nga Tv Klan, ku prezantuesit filluan të dilnin në terren dhe të preknin më nga afër tematikat duke ndërthurur moderimin me gazetarinë dhe post-produksionin. Ky lloj prezantimi, që është më i formuar dhe më i mirë-struktuar se i pari, është zëvendësuar së fundmi nga prezantuesi–autor dhe producent.
Emra si Ardit Gjebrea dhe Arjan Çani qenë ndër të parët që përpos të qenurit prezantues, u kthyen edhe në autorë dhe producentë të programeve. Kjo do të thotë që përgjegjësi e tyre është gjithë koncepti i emisionit, ndarja e detyrave, mbikëqyrja e punës dhe gjetja e sponsorave.
Nisur nga fakti që producentët kanë pavarësi në veprim, pra nuk janë të varur nga logot e televizioneve përkatëse, por mund ta çojnë programin e tyre kudo tjetër, ndikoi që një pjesë e mirë e prezantuesve të vetë-ndërtonin emisionet dhe të ndiqnin këtë lloj formule.
Për shembull, Alketa Vejsiu nuk është më thjesht prezantuese, por sot, në bashkëpunim me Vera Grabockën, ajo merret edhe me gjithë organizimin e punës në prapaskenë.
Po kështu, pas largimit nga Digitalb, i lodhur nga të qenurit i varur nga televizionet dhe platformat si Digitalb, Ermal Mamaqi u rikthye me një krijim të vetin. Në “Xing me Ermalin”, përveçse moderator, Mamaqi është producent dhe imazh i sponsorave të vetë. Të njëjtën formulë përqafoi edhe Jonida Shehu. Pas debatit me Top Channel dhe qëndrimit larg televizionit, ajo u rikthye me “Soiree”, një program i ndërtuar nga moderatorja.
Tjetër rast i kalimit nga prezantues në producent është “E diell”, një program që dikur ishte tërësisht i mundësuar nga Top Channel, duke nisur nga rrogat e deri te skenografia, sot ndërtohet si bashkë-produksion me Edi Manushin. Përmendim gjithashtu edhe Aulonën dhe Fatmën, që pavarësisht ndryshimeve, emisionin “Thumb” mund ta çojnë në të gjitha televizionet dhe platformat e ndryshme, si edhe Rudina Dembacaj me “Mos i fol shoferit”.
Emisionet e tyre kanë pavarësi autoriale dhe finaciare, që do të thotë se jo detyrimisht duhet t’u binden shijeve dhe rregullave të televizionit përkatës. Kontrata producent-televizion konsiston në ndarjen e fitimeve si edhe bashkëpunim për detajet teknike (skenografi, kameramanë, montazhierë etj).
Sigurisht që formula e prezantuesit-producent ka vështirësitë e veta. Së pari, duhet të kesh një emër të fortë dhe të qëndrueshëm në treg në mënyrë që sponsorat të duan të jenë pjesë e programit. Nga ana tjetër, nuk është fort e lehtë të menaxhosh, në mos të gjitha, një pjesë të mirë të hallkave të realizimit të programit.
Pra, duket se të qenurit producent është një rrugë e sigurt për emrat që kanë vite në treg, kanë përvojën dhe njohjet e duhura si edhe dëshirën për të sjellë projekte të reja në mënyrën më të mirë të mundshme.