Nëse ka një film për të cilin njerëzit momentalisht s’pushojnë së foluri, ai është “Joker”.
Në fakt, kjo u dallua që nga momenti kur “Joker” pati premierën në Venice Film Festival, por nuk ishte aq i parashikueshëm fakti që edhe në vendin tonë, ky film do të bënte “namin” me plot kuptimin e fjalës!
Premiera e “Joker” ishte në 3 tetor në Cineplexx dhe ndonëse kanë kaluar vetëm 3 ditë, kinematë e vendit po përballen me “mbipopullim” audience, që me shumë kureshtje vijnë të shohin Joaquin Phoenix në rolin e Arthur Fleck, “Joker”.
E kontaktuar nga Anabel.al, drejtoresha e marketingut në Cineplexx, Ingrid Xhaja tregoi se deri më tani “Joker” ka rezultuar më shumë se i suksesshëm.
“Që ditën e premierës ka patur shumë kërkesa dhe kinematë kanë qenë të mbipopulluara. Vetëm dje, (5 tetor) në Cineplex në Teg ka patur rreth 2000 njerëz që vinin për të parë këtë film, ndërsa në QTU, rreth 1000 veta, por është relativisht shumë duke marrë parasysh hapësirën më të vogël të kinemasë aty.
Nuk ndodh shpesh që njerëzit në fund të filmit të ngrihen dhe të duartokasin. Kjo ndodhi me “Joker” ! Entuziazmin që publiku ka treguar për këtë film kishim kohë pa e vënë re tek publiku. Mund të themi se shënoi rekordin e radhës!”- u shpreh ajo.
E njëjta tendencë u vu re edhe në Kinema Millenium.
“Po ecën shumë mirë. Në të treja oraret që filmi transmetohet është plot!”- u shprehën ata të kontaktuar nga redaksia.
Aktualisht, ky film në box office është i pari në të gjithë botën (deri më tani ka mbledhur 94 milionë dollarë) dhe bazuar në të dhënat e Google-it, 95% e audiencës e pëlqejnë, por sigurisht nuk kanë munguar as kritikat.
Një pjesë e mirë e tyre, ja atribuojnë gjithë suksesin e filmit interpretimit të shkëlqyer të aktorit, pasi mbart probleme të tjera si realizim.
Kritikët mendojnë se historia e Arthur, që mendon se bota i detyrohet diçka dhe që si pasojë bëhet i dhunshëm, është i rëndë dhe i ngjason shumë ngjarjeve reale thuajse të përditshme në Amerikë. Gjithsesi, kjo s’e zbeh dashurinë dhe emocionin që njerëzit kanë marrë dhe vazhdojnë të marrin nga “Joker”!
Artikuj të tjerë që mund të lexoni: Rrëmben çmimin e madh si filmi më i mirë: Çfarë e bën 'Joker' film të jashtëzakonshëm?
8 fakte interesante nga prapaskenat e xhirimit të ‘Joker’
Pse njerëzit s'pushojnë së foluri për ‘Joker,’ pa e parë ende
Mos e shini trailerin e ‘Joker’ nëse prekeni lehtësisht