Ariana Grande, Miley Cyrus dhe Lana Del Rey bashkuan forcën për këngën numër 1 në Trending në YouTube, pjesë e filmit aksion/aventurë “Charlie’s Angles” që pritet të pushtojë kinematë amerikane më 15 nëntor.
Në këngën “Don’t Call Me Angel” (Mos më quaj engjëll), Ariana, Miley dhe Lana shfaqen më të forta se kurrë, fillimisht të veshura me krahë engjëlli në ngjyrë të zezë e gjithë vetëbesim.
“Djalosh, mos më quaj engjëll/ Nuk më njeh mirë/ nuk jam nga parajsa edhe pse mund të fluturoj,” këndon në një pjesë Grande, ndërsa Miley dëgjohet të thotë: “Mos më quaj engjëll kur zhvishem/Ti e di se nuk më pëlqen/ I fitoj vetë paratë dhe shkruaj çeqet/ Thuaje emrin tim me më shumë respekt.”
Ndërsa Lana Del Rey thekson se “ra nga parajsa, por nuk është engjëll”.
Në fund, shfaqet aktorja amerikane Elizabeth Banks, që është edhe regjisorja e filmit “Charlie’s Angels”, që u kërkon vajzave të lënë shtëpinë luksoze sepse është koha për punë.
Filmi me protagoniste Kristen Stewart, Naomi Scott dhe Ella Balinska, me regji dhe skenar nga Elizabeth Banks, është një risjellje e serialit me po të njëjtin emër, të transmetuar në pesë sezone në ABC nga shtatori i 1976-s deri në qershor të 1981. Seriali vendos në qendër aventurat e tri grave në luftën kundër krimit, që udhëhiqen nga Charlie Townsend.