Në fillim të gushtit, Digitalb ndërpreu sinjalin e televizionit Klan, për shkak se negociatat për rinovimin e kontratës midis palëve dështuan. Në një artikull të publikuar nga Gazeta Shqip – pjesë e Top Media Group – shkruhet se negociatat për rinovimin e kontratës zgjatën një muaj, por dështuan pasi Frangaj kërkonte gati tre herë më shumë të ardhura vjetore. Sipas po të njëjtës gazetë, Vjollca Hoxha nuk pranoi për shkak të rënies së audiencës së Tv Klan. Pas ndërprerjes së sinjalit, Klan thuhet se humbi 200 mijë shikues në vetëm 3 ditë dhe fill pas kësaj, Aleksandër Frangaj kërkoi që Tv Klan të ritransmetohej me kushtet e mëparshme, por Digitalb nuk pranoi.
Ndërprerja e papritur e sinjalit shkaktoi kaos jo vetëm brenda zyrave të Klan, por sigurisht edhe te njerëzit, të cilët kanë reaguar ashpër në rrjete sociale. Nëse u hedhim një sy komenteve në internet, do të vëmë re se pjesa dërrmuese e tyre theksojnë se nuk janë njoftuar në kohë për ndërprejen e sinjalit. “Na prishët shumë punë me mbylljen e Klanit në Digitalb. Jo të gjithë kemi mundësi të paguajmë çdo paketë televizive,” shkruan dikush në një foto të Ardit Gjebreas. “Kështu është kur s’ka ligj. Në asnjë vend të botës nuk dëgjohen këto gjëra që bëhen në Shqipëri,” lexohet në një tjetër koment.
Të tjerë njerëz – pjesa më e madhe emigrantë, të cilët abonohen në Digitalb më së shumti për kanalet shqiptare me në krye Klanin dhe Top Channel – vënë theksin se “nuk është e drejtë që të paguajnë për një shërbim të përgjysmuar” si pasojë e “kapriçove të njërit apo të tjetrit”.
“A nuk supozohet të më lajmëronte dikush që Klan mund të hiqet nga Digitalb? Sepse kur unë bëra abonimin disa muaj më parë, pagova për një shërbim dhe për disa televizione të caktuara. Atëherë nuk m'u tha që në gusht mbaron kontrata Klan-Digitalb. A nuk duhet ta dija unë si konsumator që Klan edhe mund të hiqej? Dhe në rast se ishte e paparashikuar, kujt po i intereson? Kapriçot zgjidhini mesh jush, pa qenë nevoja të rëndojnë te unë si abonent dhe te xhepi im që do paguaj për një shërbim të përgjysmuar,” shkruan dikush.
Kontratat ndodh që edhe nuk rinovohen, megjithatë siç theksohet edhe në komentin e mësipërm, konsumatori duhet të ishte informuar. Për ta shpjeguar më thjesht: Prej gati një viti, njerëzit që paguajnë për Netflix e dinë se “Friends” do të hiqet nga platforma. Nuk dihet ende një datë, por ata e dinë që në një moment të afërt, “Friends” mund t’i kalojë WarnerMedia, që funksionon përmes nëndarjeve përkatëse si Home Box Office (HBO), Turner Broadcasting System dhe Warner Bros. Pra, ata kanë patur gjithë kohën e mjaftueshme për të vendosur nëse ia vlen ose jo Netflix pa “Friends”.
Siç mund ta shihni edhe në komentet e paraqitura në vijim, njerëzit janë shumë më tepër se të indinjuar duke qenë se rëndon mbi ta mosgjetja e një gjuhe të përbashkët mes gjigantëve televizivë.
Komentet në internet: