Ndonëse kanë kaluar dy vite nga Fyre Festival – festivali më i dështuar në histori – ende çështja diskutohet në dyert e Gjykatave. Në fillim të këtij viti, u raportua se Kendall Jenner dhe agjencia e talenteve që përfaqësonin Bella Hadid dhe Hailey Baldwin morën një fletë-thirrje për t’u paraqitur në Gjykatë, si pjesë e një përpjekjeje për të zbuluar se çfarë ndodhi me miliona dollarë që përfituan pasi ndihmuan në promovimin e eventit.
E! raporton se sipas dokumenteve të Gjykatës, “Kendall Jenner, Emily Ratajkowski dhe shumë personazhe të tjerë të famshëm u paditën në mënyrë që të riktheheshin paratë që thuhet se u janë paguar atyre për promovimin e ngjarjes famëkeqe.” Gregory Messer, përfaqësues i eventit, paraqiti dokumente në Gjykatë në Nju Jork këtë javë dhe kërkon rikuperimin e parave, pjesë e marketingut të Fyre Festival.

Në padi, Gregory deklaron se Kendall Jenner-it iu paguan 275,000 dollarë për një postim të vetëm, ndonëse ajo nuk u zbuloi ndjekësve se ishte paguar për të promovuar Fyre Festival. Ai shton gjithashtu se Kendall “i bëri njerëzit me dashje që të besonin se Kanye West do të performonte në festival.”
Në padi janë përmendur edhe emra të tjerë si Migos, Blink-182, Lil Yachty dhe Pusha T.
Në 2017-n, Fyre Festival synonte që të konkurronte Coachella-n, por me bileta shumë herë më të shtrenjta, që varionin nga 1,200 deri në 100,000 dollarë. Eventi u organizua nga Billy McFaranda, CEO i Fyre Media (shërbim për pronotimin e njerëzve të famshëm) dhe reperi Ja Rule. Festivali ishte planifikuar të zhvillohej më 28-30 prill dhe 5-7 maj në 2017-n, në ishullin Great Exuma në Bahamas, por rezultoi një katastrofë e madhe, edhe pse u promovua së tepërmi nga personazhe të njohur në rrjete sociale.

Në vend të vilave luksoze dhe ushqimit të mirë, për të cilat të pranishmit paguan mijëra dollarë, ata morën sanduiçë dhe tenda për të fjetur. Mungonte ujë dhe ushqim, gjë që shkaktoi panik te turma. Avionët që ishin përgatitur për të transportuar të ftuarit, shërbyen si “ambulanca” për t’i nxjerrë nga ishulli. Pas kaosit total, këngëtarët që do të performonin anuluan shfaqjen.
Në mars të 2018-s, McFarland u deklarua fajtor për mashtrim te investitorët dhe njerëzit dhe u dënua me gjashtë vite burg dhe dëmshpërlim 26 milionë dollarë amerikanë.
Për ngjarjen famëkeqe, u publikuan edhe dy dokumentarë në 2019-n, “Fyre Fraud” në Hulu (Mashtrimi i Fyre) dhe “Fyre: The Greatest Party That Never Happened” në Netflix (Fyre: Festa më e madhe që nuk ndodhi kurrë).