Shqiptarët kanë një mahnitje të pashpjegueshme me lekët. Me lekët e të tjerëve, sigurisht. Në mos me pyetjen e drejtpërdrejtë “sa e ke rrogën,” tentojnë të marrin vesh më shumë për situatën financiare të tjetrit me simotrat “po rroga, mirë?” ose “të paguajnë ndonjë çikë?”
Meqë jemi të rroga, thonë që Blendi Fevziu është gazetari politik më i paguar në Shqipëri. 7000 euro në muaj ngjan si një shifër e pranueshme për të marrë. E kënaqshme madje. Por, për fatin e tij të mirë, Fevziu merr më shumë se aq. Kështu tha në një intervistë për Bora Zemanin në “Treshat.”
Të themi të drejtën, s’ka asgjë për t’u habitur. Siç tregoi vetë në “Pasdite në Top Channel” në tetor të 2017-s, konkurrentë të Klanit e kanë nxjerrë për drekë në restorant dhe i sollën në valixhe pagën e një muaji për ta bindur të lëvizte prej andej. Ai s'u tundua. Fevziu është i zoti, është i ndjekur dhe i kërkuar në treg. Gjithë këto vendosin çmimin e tij.
Po nga ju ç’bëhet? Rroga, mirë?