Kosova

Njihuni me shoferen e parë shqiptare të transportit publik

Shkruar nga Anabel

29 Maj 2019

Njihuni me shoferen e parë shqiptare të transportit publik

Keni parë ndonjëherë shofere autobusi? E qartësojmë, shofere, grua, në timonin e një autobusi. Sigurisht që jo. Është një nga ato profesione që dominohet tërësisht nga burrat, të paktën në Shqipëri e Kosovë.

Kosova ama, ka tashmë shoferen e parë të transportit publik. Njihuni me Laura Mirenën, shofere e Trafikut Urban në Prishtinë.

Lajmin e bën me dije Komuna e Prishtinës përmes një postimi në Facebook. “Në vazhdim të reformave në Trafikun Urban vjen risia e radhës. Laura Mirena është shoferja e parë në ekip. I urojmë punë të mbarë,” shkruhet nën foto ku vihet re Mirena përballë autobusit.

Një rast të ngjashëm na e kanë dërguar në faqen tonë në Facebook. Një ndjekëse e jona punon si shofere autobusi, por në Londër. Gjithashtu, kemi dëgjuar nëpër staf për një vajzë që punon faturino e linjës Sarandë – Ksamil.

Fundja, punët nuk kanë gjini dhe për sa kohë bëhen si duhen, ç’rëndësi ka i bën një burrë apo një grua.