E ftuara e të shtunës në “My Living” ishte Majlinda Bregu e cila për momentin jeton dhe punon në Sarajevë, pasi fitoi garën për t’u zgjedhur Sekretare e Përgjithshme e Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, institucion që ka për qëllim nxitjen e bashkëpunimit dhe integrimit europian të vendeve të Europës Juglindore.
Për herë të parë për një kamera televizive, Bregu pranoi të hapte derën e shtëpisë për të realizuar një bisedë mbi stilin e jetës, karrierën, politikën, familjen etj.
“Po mundohemi ta menaxhojmë te dyja palët sepse është e vështirë. Sigurisht që unë them që është më e vështirë për mua sepse jam larg dhe vetëm. Nërkohë është dhe shqetësimi i mamit për fëmijët. Ndjenja e fajit, unë nuk di ndonjë grua që ka vendosur të investojë në karrierë dhe ka një ambicje për të bërë përpara, mos ketë ndjenjën e fajit për fëmijët[...]Kështu që nuk është kollaj për asnjë nga palët. Nuk është kollaj për tim shoq që gjithsesi është në Tiranë dhe duhet të gjejmë mundësitë për t’u kombinuar dhe për t’u takuar në gjysëm të rrugës, diku jo shumë larg nga Tirana që mund të jetë Mali i Zi, që mund të jete Prishtina sepse Sarajeva është më larg. Kështu gjejmë mundësi për të qenë bashkë.” – u shpreh ajo në lidhje me distancën me të cilën po përballet këto kohë.
Si qëndron pozicioni aktual i punës si Sekretare e Përgjithshme në krahasim me karrierën e mëparshme në poltikë?
“Nuk është rastësore që dhe paraardhësit që kanë qënë këtu vinin nga rradhët e politikës. Ky pozicion kërkon ta kesh kaluar atë fazën e trajnimit apo luftës së politikës së brendshme për t’i parë gjërat më ftohtë dhe në mënyrë më të shëndetshme. Arrin të gjykosh zhvillimet, ecjen, problemet që ka secila nga ekonomitë në të gjithë rajonin apo dhe më tutje. Unë kam pak ose aspak kohë. Ndërkohë kur jam në Tiranë bombardohem me mesazhe për zhvillimet politike, të politikës së brendshme dhe as më lejohet dhe as jam e interesuar për të bërë komente për politikën e brendshme më.”
A është ndjerë e paragjykuar në politikë?
“Kur fillon e ngrihesh pak më shumë, bëhesh më shumë halë në sytë e atyre që nuk të duan. Kudo dhe ne Europë dhe në vendet më të zhvilluara po të shohësh ka sërishh një lloj stepje për të promovuar gratë, ka prapë të njëjtën masë gjykimi dhe të njëjtin metër për gratë në politikë. Lajmet të gjykojnë për flokët e krehur ose të pa krehur edhe për një takim ose për mënyrën se si prezantohesh dhe për buzëqeshjen. Pra ti bën lajm sidomos kur je grua në politikë për çdo gjë, mbase sepse dhe shoqëritë kanë filluar të bëhen pak më të cekëta në këtë gjë. Njerëzit e kanë më të lehtë të gjykojnë sesa të mendojnë.”
Çfarë është lumturia për të?
“Një ditë me shi, në një shtëpi druri, në mes të pyllit ku të kishte dhe pak det. Dhe të kem mundësinë të lexoj në divan me orë dhe të mos më shqetësojë njeri. Ky është ideali që imagjinoj, mundësisht më një palë tuta në shtëpi e pa krehur dhe e pa lyer. Të kesh mundësinë të dëgjosh shiun, por të kesh dhe gjelbërimin dhe një liqen apo det jashtë.”
Me cilin/cilën do të donte të identifikohej?
“Një grua e cila më ka goditur dhe më ka bërë përshtypje që them se është një nga figurat pak të njohura por shumë interesante ka qenë Presidentja e Parë e Parlamentit Europian, Simone Veil, sepse Simon Veil kishte kaluar Auschwitz- in, mbijetoi, u zgjodh ministre e Shëndetit në Francë, propozoi ligjin për abortin për herë të parë në Francë dhe pavarësisht se kishte kaluar një lumë me vështirësi në jetë mori në mënyrë të pamerituar sulmet më të ndyra që mund të merrte një grua pse propozonte ligjin e abortit. Fjalimin e saj në Parlamentin Francez e nisi gati duke qarë dhe tha: Vetëm dëgjojini gratë! Më pas u zgjodh Presidente e Parlamentit Europian, e para grua. Sot është e varrosur në Panteonin e Heronjve në Paris dhe për ironi të fatit ende aty shkruhet: Këtu kombi nderon burrat e tij!
Intervistën e plotë e shihni në vijim: