Teksa njerëzimi po mendon të kolonizojë Marsin dhe të gjejë jetë në planete të tjerë, ajo që duhet të njohim dhe vlerësojmë janë së pari gjallesat e mahnitshme që jetojnë rrotull nesh. Ky artikull do t’ju njohë me disa prej tyre:
Balena Cachalot ia del të zhytet në një thellësi të pabesueshme prej 4 mijë metrash, duke e lënë kështu të pashpjegueshëm faktin se si mushkëritë e saj ia dalin të përballojnë presionin e jashtëzakonshëm. Kafsha në fjalë zotëron një material tejmase të çmuar për prodhuesit e parfumeve: ambergris- in. Tingëllon si diçka e bukur, por në fakt është një substancë e ngurtë gri që lëshohet në momentin kur balena Cachalot gromësin.

Ambergris- i krijohet falë sistemit tretës të balenës, në fillim ka një erë të rëndë por me kalimin e kohës merr një aromë të ëmbël dhe sipas specialistëve ndikon në zgjatjen e efektit të parfumit. Një tjetër substancë e pranishme në trupin e balenës në fjalë është spermaceti, i njohur për vetëtitë e jashtëzakonshme kururese. Cachalot ka nevojë vetëm për 15 minuta gjumë në ditë, por nëse është e nevojshme mund të rrijë edhe 3 muaj të tërë pa gjumë. Janë krijesat me lëkurën më të trashë dhe janë të gatshme të gllabërijnë menjëherë një kallamar gjigant.

Duket e pabesueshme por po, kandili Turritopsis nutricula mund ta nisë jetën nga e para. Pas çdo lëndimi, kandili ia del të rigjenerohet shumë shpejt. Porcesi i rritjes zgjat vetëm 2 muaj, ndërkohë që shkencëtarët kanë studiuar një kandil që ia ka dalë të transformohet dhe të vijë sërish në jetë për të dymbëdhjetën herë.
Ndonëse peshkaqeni Port Jackson duket shumë i frikshëm na lejoni t’ju themi se në fakt është goxha i sjellshëm (të paktën me ne). Jackson është helmues, por e vë në punë superfuqinë e tij vetëm kur është në rrezik. Dhe meqë ra fjala, helmi i tij nuk është vdekjeprurës por thjesht të paralizon. Të vegjëlit rriten me vonesë; mashkulli maturohet në moshën 10- vjeçare e ndërsa femra vetëm pas 14 viteve jetë. Ndërkohë jetëgjatësia e tyre nuk shkon më gjatë se 30 vite. Për të mirën tonë, këta peshkaqenë nuk tërhiqen nga njerëzit. Mund t’ju kafshojnë vetëm në rast se janë ndjerë të bezidsur. Nga ana tjetër, as njerëzit nuk i duan: mishi i tyre s’është fare, po fare i shijshëm.
Pamja e Platypus- it ka nisur pyetje të shumta në mesin e shkencëtarëve. Duket se teksa natyra po e krijonte gjallesën në fjalë, ende s’e kishte ndarë mendjen se si dhe çfarë do të ishte. Aplatypus- i ka hundë rose, bisht kastori dhe një trup me gëzof. Po kështu lëshon pështymë toksike, bën vezë, prodhon qumësht dhe jeton vetëm në Australi.
Veçoria e miut me gjemba është rigjenerimi. Ata janë të gatshëm ta lëshojnë lëkurën e tyre sapo janë kapur nga një grabitqar duke rikrijuar më pas lëkurën, kërcin dhe gjendrat e djersës. Shkencëtarët supozojnë se të gjithë gjitarët, përfshirë edhe zvarranikët kanë gjene vetëshëruese, por kjo veçori aktualisht është "e aksesueshme" vetëm për minjtë gjemborë.