Social Buzz

Pse duam kaq shumë që Lady Gaga dhe Bradley Cooper të dashurohen?

Shkruar nga Anabel

28 Shkurt 2019

Pse duam kaq shumë që Lady Gaga dhe Bradley Cooper të dashurohen?

Një ndër momentet më emocionues të mbrëmjes së ndarjes së çmimeve Oscars: Lady Gaga dhe Bradley Cooper emocionuan audiencën duke performuar këngën “Shallow” të “A Star Is Born”, e cila fitoi edhe çmimin si “Kënga më e mirë origjinale”.

Perfomanca e tyre, teksa këndonin “Shallow” dhe shihnin njëri-tjetrin në sy, u shoqërua më pas me një sërë reagimesh në Twitter, të tipit: “Janë kaq të dashuruar”, “Ata i përkasin njëri-tjetrin”, “Duhet të ishin puthur”, “Dua dikë që të më shohë si sheh Bradley Gaga-n” etj.

Por për një pjesë të njerëzve, asnjë nga reagimet në Twitter nuk ishte i ëmbël apo romantik – në fakt, gjithë ç’po ndodh është një reagim anti-feminist.

Irina Shayk është partnerja e Bradley-t prej tri vitesh dhe nëna e fëmijës së tij, vogëlushes Lea De Seine. Teksa interneti ishte shumë i zënë për të përshkruar ndjenjat Gaga-Cooper, po vendoste dashur padashur Irina-n kundër këngëtares. Megjithatë, kur kënga përfundoi, Shayk u shfaq e qeshur dhe madje i dhuroi një përqafim Gaga-s.

Është e çuditshme që pas lëvizjeve #TimesUp dhe #MeToo, të gjithë kanë ngecur në një model regresiv ku vendosen gratë kundër njëra-tjetrës thjesht e vetëm për një qëllim: dashuria e një burri. “Kjo nuk është aspak mirë,” thotë Natalie Elisha Gold, aktiviste e të drejtave të grave. “Ne nuk duhet të krijojmë idenë se gratë janë në konkurrencë, të nxitura nga dëshira për të rënë në sy tek një burrë.”

Gjithsesi, çfarë na bën të dëshirojmë me patjetër që dy njerëz të jenë të dashuruar, kur në fakt nuk e dimë sa e vërtetë është një gjë e tillë? Sipas psikologes Andrea Goeglein, arsyeja nuk ka të bëjë fare me Lady Gaga-n dhe Bradley Cooper-in. “Nuk është se njerëzit po marrosen pas tyre, ata po marrosen pas vetes,” thotë ajo.

“Ata po projektojnë atë që duan në jetë, atë që u mungon. Dyshja u kujton se sa rëndësi ka kimia mes një çifti. Trekëndëshi i dashurisë është thjesht një gjë ekstra.”

Nëse keni lexuar mbi disa fakte të xhirimit të filmit, Cooper është shprehur se me ndihmën e Gaga-s është më i sigurt në skenë (kur bëhet fjalë për të kënduar). Ata madje kanë bërë prova në bodrumin e shtëpisë që aktori ka me partneren. Ndoshta janë të tre miq të mirë. Sot, në 2019-n, kjo është ajo që duhet “të fantazojmë”, jo dashurinë e tyre.

Kur Gaga doli në skenë pasi u shpall fituese e çmimit “Kënga më e mirë origjinale”, falenderoi Bradley-n. Ai qeshi. Irina gjithashtu.

-Përshtatur nga Cosmopolitan