Në raportin “Pas shifrave: Fund dhunës në shkolla dhe bullizmit” të publikuar nga UNESCO në janar të këtij viti, thuhet se rreth 20% e fëmijëve shqiptarë janë të prekur nga bullzimi dhe dhuna. Shifrat jnë më të larta tek fëmijët e moshave 11-13 vjeç.
Kur i referohemi bullizmit, përgjithësisht kemi në mendje dhunën fizike. Mirëpo duke qëndruar brenda kësaj kornize, harrohen aspektet e tjera të bullizmit: abuzimi me fjalë, nofkat, gjestet kërcënuese, ofendimet etj. Një fëmijë mund të vuajë nga bullizmi edhe kur nuk shfaq shenja fizike. Prandaj edhe specialistët thonë gjithmonë se mënyra më e mirë për të kuptuar fëmijën është vëmendja ndaj detajeve që në dukje janë të parëndësishme.
Në një artikull të Real Simple, shpjegohen të gjitha rastet që duken të zakonshme, por mund të jenë tregues se fëmija përballet me bullizmin:
Nuk dëshiron më gjërat që më parë i kishte të preferuara: Kur fëmija humbet interesin ndaj lodrave, ushqimeve, aktiviteteve, pa të cilat më parë nuk ia bënte dot, tregohuni të vëmendshëm. Ky rast mund të mos jetë 100% shenjë e bullizmit, por duhet marrë në konsideratë.
Mbyll llogaritë e tij në rrjetet sociale: Drejtori i Cyberbullying Research Center, Justin Patchin, thotë se kur fëmijët nuk e përdorin më teknologjinë si më parë ose rrjetet sociale, atëherë mund të kemi një shenjë se ai është i prekur nga bullizmi virtual. Dikush që qëndron në Snapchat për orë të tëra, s’mund ta injorojë telefonin gjatë gjithë ditës.
Zihet dhe nuk flet më me miqtë: Zënkat janë normale, fëmijët ndërrojnë shpesh miqësi. Por lind pyetja: Cilat janë shkaqet? Prandaj duhet biseduar me ta në mënyrë që të kuptoni shkakun e vërtetë.
Ka “dhimbje” koke, barku, dhëmbi etj: Zakonisht ndodh që fëmijët të përjetojnë dhimbje fizike, kryesisht të kokës, kur përballen me stresin e bullizmit. Mirëpo ndonjëherë ato janë të shtirura. Pra, kur nxjerrin justifikimin se nuk duan të shkojnë në shkollë, sepse iu dhemb koka, sigurohuni që të mos jenë duke e përdorur si justifikim.
Shprehet se nuk i pëlqen aspak vetja: Viktimat e bullizmit kanë një mungesë të theksuar vetëvlerësimi; shkojnë deri aty sa besojnë se problemi qëndron tek ata.
Nga viktimë kthehet në “agresor”: Edhe pse s'duket logjike, ekspertët thonë se vikimat përfundojnë ndonjëherë duke u sjellë keq me fëmijët e tjerë. Nëse vini re se fëmija është agresiv, mundohuni të kuptoni nëse sulmohet apo është sulmuar më parë nga të tjerët.