Robert Aliaj nuk kaloi në natën finale të “Kënga Magjike 2018”, gjë që u tha për herë të parë në studion e “Zonë e Lirë” të premten (7 dhjetor). Sigurisht që një fakt i tillë s’kishte si të mos diskutohej edhe tek “E diela shqiptare”, ku puntatën e fundit qenë të ftuar disa prej finalistëve të festivalit.
Aurela Gaçe qe e para që u shpreh se nëse do të kishte ardhur ndryshe në festival, do të kishte ardhur me këngën e Robertit, duke u nisur nga mesazhi që ajo mbart për vetë aktualitetin.
Për ata që nuk janë përditësuar: Aliaj luajti me poezinë “Anës lumenjve” të Nolit, duke futur referenca nga jeta e tij dhe jeta e gjithë shqiptarëve që emigrojnë apo përballen me realitetin brenda kufijve duke prekur varfërinë, korrupsionin, anët negative të Shqipërisë.
Aurela shtoi ndër të tjera se kënga është një klithmë për ditët e sotme dhe duhej vlerësuar më shumë.

Ndryshe nga ajo, Ronela ndau një tjetër mendim. Për Ronelën – e cila nuk i mohoi vlerat mesazhit – Aliaj duhej ta recitonte diku tjetër, pasi “Kënga Magjike” është festival ku këndohet dhe jo recitohet.
“Ah ku më hodhi Zoti” i ngjan më tepër një interpretimi të një poezie me muzikë në sfond, sesa një këngë në formën e saj të mirëfilltë.
Në mbrojtje të idesë së Aurela Gaçes ishte edhe Rovela Dilo, e cila u shpreh se nëse do të veprohej me logjikën e Roneles, atëherë repistët nuk do të mund të merrnin pjesë në asnjë festival, pasi interpretimi i tyre është më tepër recitim se këndim.
Flori Mumajesi nuk preferoi të merrte pjesë në debat pasi s’mund të fliste për dikë që e ka quajtur festivalin e “Këngës Magjike” “festival-tallavaje”.
Mumajesi e ka fjalën për deklaratën e Aliajt në studion e Çanit ku tha ndër të tjera:
“Kjo këngë, që ishte absolutisht unike, absolutisht e veçantë, absolutisht me një mesazh për kohën, nuk injorohet. Më kuptoni drejtë. Po flas për këtë gjë siç flas për gjithë gjërat që s’kanë lidhje me mua. Është një këngë që justifikon se çfarë është kënga në vetvete, është mision. Kënga është fjala, është teksti. Nuk është këngë që të them unë ‘prapanicat e mia janë kështu, ti s’do të më shohësh më, unë do vdes për ty’[...]”
“Ah ku më hodhi Zoti” nuk kaloi në finale, megjithëse në sondazhin e Anabel.al u rendit në vendin e 8, çka vërteton deri-diku pëlqimin e publikut.
Referuar një tjetër sondazhi, 27% janë dakord me Robertin dhe deklaratën e tij te “Zonë e lirë”, ndërsa pjesa e tjetër (40%) ia “vë fajin” konkurrencës së fortë dhe jo “artistëve–tallava”.