Në fund të shtatorit, u njohëm me historinë e familjes Shima, ku tre vogëlushët Gëzimi, Arbeni dhe Ergysi jetonin në varfëri ekstreme, punonin ku të mundeshin për të siguruar bukën e gojës dhe sikur të mos mjaftonte kjo, duhet të jetonin për çdo ditë të rrethuar nga përbuzja e shoqërisë. Pasi rasti u bë publik nga “Fundjava Ndryshe” dhe më pas emisioni investigativ “Stop”, ishte biznesmeni Samir Mane që premtoi se do t’u ndërtonte një shtëpi të re.
Falë fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, “Balfin Group”, emisionit “Stop” dhe qindra shqiptarëve që kontriubuan nga mbarë bota, sot tre vogëlushët jetojnë në një shtëpi të re, me gjithë ç’u nevojitet, duke filluar nga ushqimi, veshja e deri tek mjetet shkollore.



“I falenderoj të gjithë njerëzit që zgjohen një ditë në mëngjes edhe mendojnë për disa njerëz të tjerë që nuk i përkasin as familjes së tyre, as rrethit të tyre shoqëror. Pra, njerëz të cilët nuk i njohin fare. Dhe këtu qëndron madhështia e gjithë bamirësisë dhe Arbri ka krijuar një shprehje shumë të bukur që bamirësia nuk të varfëron” – thotë Gentjan Zenelaj.
Kryefamiljari Ismail Shima, mes lotëve të gëzimit, ka falenderuar gjithë njerëzit që bënë të mundur që tashmë fëmijët ta shohin ndryshe të ardhmen e tyre.