Tetë të vdekur, një i zhdukur dhe disa të plagosur- kjo është situata aktuale në rajonet më të prekura nga moti i keq në Itali.
“Corriere della Sera” bën me dijeni se moti ekstrem ka shkaktuar një situatë kaotike në të gjithë vendin: shira të rrëmbyeshëm, përmbytje dhe erëra që mbërrijnë shpejtësinë 100km/ h.
E gjitha kjo është bërë shkak për vonesa të mëdha të lëvizjes së trageteve nga Bari drejt Durrësit. “Top Channel” raporton se Kapiteneria e Përgjithshme i ka dërguar një urdhër autoriteteve të 4 porteve në vend, pasi do të ketë përkeqësim të situatës në det përgjatë 48 orëve të ardhshme.
Kërkohet që të ndalohet lëvizja e mjeteve të vogla në det. Po njoftohen të gjitha agjencitë, tragetet, peshkarexhat dhe anijet e transportit të mallrave për situatën e përkeqësuar dhe masat që duhet të marrin.
Ndërkohë, ndërhyrjet e zjarrëfiksëve në Itali kanë arritur një nivel rekord, 1600 vetëm të hënën. Alarmi i kuq do të vazhdojë të mbetet në fuqi edhe sot për rajonet më të goditura: Venecia, Lombardi, Liguria etj.