Bota

Infermieri monstër që vrau 100 pacientë përballet me drejtësinë

30 Tetor 2018

Infermieri monstër që vrau 100 pacientë përballet me

Në Oldenburg, një qytet në veri të Gjermanisë, nisi gjyqi kundër një infermieri i akuzuar për vrasjen e 100 pacientëve. Detektivët thonë se Niels Högel, 41 vjeç, u injektonte doza fatale pacientëve të tij në dy spitale të ndryshme. 

Högel po vuan aktualisht dënim të përjetshëm për vrasjen e personave nën kujdesin e tij. Ky gjyq, i cili pritet të zgjasë deri në maj, bazohet në testet e toksikologjisë të më shumë se 130 trupave të zhvarrosur së fundi. Högel akuzohet se ka vrarë 36 pacientë në Oldenburg dhe 64 në Delmenhorst mes 1999 dhe 2005.

Ky rast është i paprecedent në Gjermani. Nëse shpallet fajtor, Högel do të jetë një prej vrasësve serial më mizor të Gjermanisë së pas luftës. Hetuesit thonë se mund të ketë vrarë edhe më shumë njerëz, por trupat e viktimave potenciale janë kremuar.

“Shpresoj të shpallet fajtor për çdo akuzë, që më në fund, familjarët e viktimave të gjejnë paqe,” tha Petra Klein, e cila drejton një grup për të dashurit e viktimave dhe të prekurve.

Högel u arrestua për herë të parë në 2005-n, pasi u kap duke i injektuar një pacienti diçka pa miratimin e mjekut. Högel u dënua me shtatë vite heqje lirie në vitin 2008 për vrasje të mbetur në tentativë. Në një gjyq të dytë u shpall fajtor për vrasje dhe vrasje të mbetura në tentativë të pesë viktimave të tjera dhe u dënua me 15 vite.

Në këtë moment, Högel i tha psikiatrit se kishte vrarë të paktën edhe 30 njerëz të tjerë në Delmenhorst. Si rrjedhim, hetuesit hetuan vdekjet e dyshimta në Oldenburg. Autoritetet thonë se numri i viktimave mund të arrijë deri në 200, por e vërteta s’do të zbulohet kurrë.

Högel ndiqte thuajse të njëjtën procedurë çdo herë. Në fillim, u injektonte pacientëve një mjekim që u shkaktonte arrest kardiak e më pas përpiqej pa sukses t’i sillte në jetë. Hetuesit thonë se ai motivohej nga vaniteti ose thjesht nga mërzia. Viktimat ishin të rëndomta, nga 34 deri në 96 vjeç.