Në mars të këtij viti, Alban Skënderaj mbajti tre netë koncert në Pallatin e Kongreseve. I titulluar “Hapësira e një ëndrre”, biletat e të tre netëve u shitën me shpejtësi marramendëse. Pas koncerteve, Albani foli për “një publik, një emocion dhe një energji të jashtëzakonshme.” Në më pak se dhjetë minuta nga videoja e koncertit vihen re pikërisht publiku, emocioni, energjia dhe performanca e jashtëzakonshme e Albanit.
Për fat, ata që nuk qenë mjaftueshëm fatlumë sa të shtinin në dorë ndonjë biletë mund ta shohin koncertin në tërësi në YouTube. Pasi u transmetua fillimisht në RTSH, partnerin mediatik të “Hapësira e një ëndrre”, koncerti u postua online sot në drekë.
Koncerti nis me një recitim të një poezie formuluar nga fragmente të ndryshme të këngëve më të njohura të Albanit. Në sfond, shfaqen imazhe të ndryshme bardhë e zi në përshtatje me vargun. Në fund, vihet re një eklips dhe Orkestra Simfonike e RTSH nis të luajë “Eklips”.
Edhe përmes ekranit është një përvojë e mrekullueshme. S’mund t’jua rekomandonim më shumë.