Shqipëria

Rama: ‘40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin, 120 mijë për të tretin’

26 Shtator 2018

Rama: ‘40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80

Kryeministri Edi Rama doli në një konferencë për mediat bashkë me Ministren e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu. Ai foli mbi risitë në buxhetin e vitit që vjen dhe për një skemë që ka në plan ta implementojë duke nisur nga 1 janari i 2019-s.

“Në vitet 2000, unë pata lançuar si kryetar i Bashkisë së Tiranës, çekun e bebes, 50 mijë lekë të vjetra dhe mbeti aq për shumë vite. Madje u bë problem, sepse në malin e borxheve të mbetura, ne kishim dhe një borxh prej 5 milion dollarësh për bebet që nuk e kishin marrë, borxh që e shlyem,” tha Rama.

Rama: ‘40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80

Kryeministri synon që ta rikthejë këtë skemë, me shpërblime të shumëfishuara. Sipas një raporti të INSTAT, publikuar në fillim të 2018-s, popullsia e vendit është në rënie si pasojë e lindjeve të pakëta dhe emigrimit. Gjithashtu, numri i të rinjve është në rënie, teksa të moshuarit po shtohen. Një popullsi në rënie dhe në plakje, nuk është shenjë e mirë për ekonominë dhe me skemën e shpërblimeve, Rama shpreson të ndryshojë diçka.

“Që nga 1 janari 2019, kjo politikë do të rikthehet me shumëfishim. Çdo çift do të marrë 400 mijë lekë [të vjetra] për fëmijën e parë, 800 mijë [të vjetra] për fëmijën e dytë dhe 1 milion e 200 mijë [të vjetra] për fëmijën e tretë. Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë po përgatitet për një tjetër inovacion. Çdo bebe që lind në maternitetet e Republikës së Shqipërisë, do të regjistrohet aty. Nuk do të jetë nevoja për lodhje deri në gjendjen civile. Edhe çekun do ta marrë aty,” përfundoi Rama.