Joss Stone, artistja me famë botërore e muzikës soul, realizoi rreth dy vite më parë turin botëror “Total World Tour”, ku ndërmori edhe një nismë të veçantë, duke promovuar artistët lokalë të vendeve të ndryshme. Pikërisht për këtë projekt foli Shpat Deda i ftuar në emisionin e pasdites në Top Channel, “Ftesë në 5”.
“Joss Stone udhëtoi nëpër botë dhe realizoi bashkëpunime me artistë lokalë. Ndihem i privilegjuar që u përzgjodha prej saj.”
Në vazhdën e promovimit të artistëve të vendeve të ndryshme, këngëtarja britanike zgjodhi të këndonte këngën e Shpat Dedës, “N’shpirt m’ka rritë”, të shoqëruar edhe nga kitaristi Art Lokaj.
Siç mund ta shihni në video, me pak vështirësi Joss ia del të këndojë shqip këngën e famshme.
Ajo këndoi live në Prishtinë në shtator të 2016-s, ku edhe u filmua videoja e publikuar një javë më parë. Art Lokaj, që performoi në hapje të koncertit me Rina Bilurdagun, tregoi dy vite më parë për Anabel.al përvojën e njohjes me një artiste të mirëfilltë: "Përveçse një artiste, Joss ishte një njeri shumë pozitiv, shumë e thjeshtë. Të krijonte përshtypjen se njiheshe me të prej një jete."
Edhe Joss nga ana e saj shprehu ndjesitë që i la Kosova; ngrohtësia e njerëzve, por edhe varfëria e një djali që mblidhte mbeturina për të jetuar.
"Ky djalë i vogël është nisur të mbledhë mbeturina për t'i shitur", shkroi ajo në Instagram, pranë fotos së djalit, "Të gjithë që kam takuar këtu janë kaq të ngrohtë, kaq mikpritës. Pavarësisht situatës ku janë, sjellja e tyre është kaq frymëzuese."
Ndër të tjera, Shpati tregoi se është gati të shpërthejë pasi pjesën më të madhe të këngëve i ka gati, i duhet vetëm pak kohë për t’i regjistruar në studio. Deri atëherë, le të dëgjojmë një perlë të këngëtarit.