Forcat policore në Romë publikuan një urdhër kërkimi për dy turistë “anglishtfolës” që u filmuan teksa po laheshin lakuriq në një shatërvan, pjesë e një monumenti dedikuar bashkimit dhe çlirimit të Italisë.
Dy turistët zhveshën gjithçka përveç të brendshmeve para se të futeshin në shatërvanin që gjendet në monumentin Altare della Patria (Altari i Atdheut), i cili gjithashtu i dedikohet gjithë ushtarëve të rënë, pjesë e një kompleksi që përfshin varrin e një ushtari të panjohur vrarë në luftën e parë botërore.
Dyshja luajti në shatërvan për pak dhe shkurtimisht më pas, një prej tyre uli të brendshmet dhe i ekspozuar, pozoi për foto.
Policia tha se sjellja e turistëve ishte fyese dhe se “dëmtoi seriozisht kombin dhe kujtimin e të rënëve, të cilëve u dedikohet ky monument.”
Një burim tha se burrat s’janë gjendur ende, por secili prej tyre do të përballet me një gjobë me vlerë €400. Ata u identifikuan si anglishtfolës nga një guidë turistike, i cili filmoi incidentin. “Kjo hyn në historinë e Romës... mamma mia... është absurde,” thotë guida në video.
Ministri i brendshëm italian, Matteo Salvini, postoi një foto të turistëve në Twitter dhe shkruajti: “Di unë si t’i “edukoj” këta idiotë nëse kapen. Italia s’është banja e tyre!”
Saprò io come “educare” questi idioti se verranno presi, l’Italia non è il bagno di casa loro!https://t.co/ffwHJ9Nkjq
— Matteo Salvini (@matteosalvinimi) August 21, 2018
Turistët që lahen në shatërvane janë një problem i vazhdueshëm për autoritetet italiane, sidomos gjatë muajve të verës. Edhe pse futja në shatërvane është e jashtligjshme, autoritetet s’arrijnë t’i mbajnë nën kontroll.
Videon e plotë mund ta shihni këtu.
Burimi: The Guardian