Eja shohim pak Tv

Hati rrëfehet për herë të parë mbi gjithçka: Fëmijëria, TikTok-u, kritikat & ndarja

Shkruar nga Anabel

14 Maj 2025

Hati rrëfehet për herë të parë mbi gjithçka:

Në një intervistë të sinqertë dhe të hapur në "The Dalina Show" nga Andale Media, Hati, e njohur për famën e saj në TikTok, ndau me publikun historinë e saj personale, vlerat, pasionet që e udhëheqin dhe iu përgjigj të gjitha pyetjeve që na kuriozojnë për të aktualisht.

Një vajzë deti me shpirt të qetë

Hati, e lindur dhe e rritur në Durrës, e përshkruan veten si një “vajzë deti”. Ajo shprehu lidhjen shpirtërore që ka me të, duke thënë:

“Unë jam vajzë deti, te deti gjej qetësinë, më pëlqen, kam një lidhje shumë shpirtërore.”

Emri dhe identiteti

Emri i saj i plotë është Hatixhe, një emër që i është dhënë nga gjyshi. Megjithatë, ajo rrëfen se për një kohë e kishte pasur problem, pasi shumë njerëz në Shqipëri e lidhin emrin Hatixhe me gjyshet. Ajo sqaroi:

“Në fillim e kam pasur pak problem emrin tim, se jemi mësuar me shumë gjyshe në Shqipëri që e kanë emrin Hatixhe, po shkurt u thërrasin Tixhe. Edhe mua më thërrisnin Tixhe. Edhe babi më thërret akoma edhe sot Tixhe, ndërkohë që unë acarohem, e kam vdekje.”

Por, falë një kushërire të babait të saj, u vendos emri “Hati”, që tashmë është kaq i njohur dhe identifikues në gjithë Shqipërinë.

Arsimi dhe zgjedhjet personale

Kur Dalina e pyeti Hatin për arsyen pse nuk ka vazhduar shkollën e lartë, ajo e shpjegoi vendimin e saj me një qasje pragmatike. Ajo tha:

“Ka qenë zgjedhja ime. Ndoshta më kapi ai rehatllëku nga TikTok-u dhe pjesa e fitimeve financiare. Kur rehatohesh, nuk të shkon mendja për të bërë shkollë. Sepse sot ke dhe shumë njerëz pa shkollë që ndoshta janë dikushi, fitojnë shumë dhe janë shumë të respektuar në të gjithë botën. Absolutisht jam shumë dakord që të shkollohemi, na duhen profesionistë. Unë ngaqë e gjeja veten më shumë te pjesa e biznesit, zgjodha të mos e vazhdoj [shkollën].”

Hati shton se për nënën e saj, vendimi për të mos vazhduar studimet është një shqetësim i vazhdueshëm, si një person që nuk e kishte pasur mundësinë të arsimohej në rininë e saj.

Shamia dhe besimi

Në një pjesë të intervistës, Dalina e pyeti Hatin për arsyen se pse mban shami dhe çfarë simbolizon kjo për të. Hati u përgjigj me një sinqeritet të dukshëm:

“Feja ka qenë pjesë e familjes. Prindërit janë besimtarë, që nga gjyshërit, në fakt, stërgjyshërit. Dhe në komunizëm agjëronin fshehtas. Shaminë e kam vënë me dëshirën time të plotë. Mamin tim e kam me shami, ndaj dhe ajo ka qenë si figura që më ka nxitur për ta vendosur. E kam vendosur bashkë me motrën, sepse është diçka që kërkon pak përkrahje sepse nuk është e lehtë për ta mbajtur, sidomos në këto ditë.”

Shamia, për Hatin, është një urdhër i Zotit dhe një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj besimtar.

Reagimi ndaj kritikave pas viralitetit në TikTok

Pavarësisht suksesit të saj në TikTok, Hati ka marrë shumë kritika, veçanërisht për mënyrën si përdor këtë platformë, jetën luksoze që ndan dhe (sh)përdorimin e shamisë, sipas "kritikëve". Megjithatë, ajo ka një qasje të qetë ndaj tyre, duke u shprehur:

“Kam një tip shumë të çuditshëm që nuk më bëjnë përshtypje fare, po fare [kritikat], unë me timen jam në rregull, por përderisa kjo gjë sjell kaq shumë interaktivitet, hajde ta bëj prapë. Shikime janë ato në fund të fundit, mua më leverdisin. Qoftë komente pozitive apo negative, për mua përkthehen në para.”

Hati gjithashtu thekson se nuk ka aspak ndër mend të flasë në emër të fesë dhe "si një vajzë e re, nuk ka informacionin e duhur" për të bërë një gjë të tillë.

Ndarja

Një pjesë tjetër e intervistës, për të cilin me siguri njerëzit ndajnë kuriozitetin më të madh, është pikërisht ndarja e Hatit nga partneri i saj, Jashari. Ngjarjen ajo e nënkuptoi me një video në TikTok përpara tre muajsh dhe shumë njerëz besuan se ishte pjesë tjetër e marketingut. 

Megjithatë, pa përmendur emër, apo detaje, Hati sqaroi se videoja ishte e vërtetë dhe ndarja ka ndodhur. Ajo zgjodhi të flasë për këtë me dinjitet dhe respekt, duke deklaruar gjendjen e saj aktuale pas ndodhisë:

“Ndjehem shumë mirë. Çdo gjë do kohën e vet. Jam në një proces shërimi, por që jam mirë, jam e re. Jeta vazhdon.”

Përsa i përket dashurisë, Hati u shpreh me çiltërsi:

“I besoj dashurisë, ama te vetja dashuria më duket si diçka që nuk ekziston për momentin, por nuk është se i kam humbur shpresat.”

Mesazhi për vajzat

Në fund të intervistës, Hati dha një mesazh të rëndësishëm për vajzat:

“Për vajzat do thoja të mos varen te dikush tjetër për jetën e tyre.”

Ajo inkurajoi vajzat të jenë të pavarura, të ndjekin pasionet e tyre dhe të mos lejojnë opinionet e të tjerëve t’i udhëheqin.

Në një botë ku imazhi dhe fama shpesh janë të lidhura me standarde të caktuara, Hati ka arritur të krijojë një identitet unik, duke bashkuar besimin, modën dhe suksesin në TikTok. Ajo është një shembull i një vajze moderne, që ndjek rrugën e saj, pavarësisht sfidave dhe kritikave.

Intervista e plotë: