Jonida Shehu qëndroi për pak kohë larg televizionit dhe vendosi të kthehet pranë publikut më herët se shtatori. Thuhet se Jonida do të kthehet sërish në Top Channel, me një program që e ideon dhe e moderon vet ajo. Por përveç kësaj moderatorja publikoi në YouTube episodin e parë të një projekti shumë ambicioz: një podcast.
Nën emrin Jonida Podcast, projekti i mbështetur nga Abi Bank, është në fjalët e vetë ideueses “një bibliotekë intervistash ku ju do të keni mundësi të dëgjoni rrëfime, biseda, intervista me personazhe të njohur ose të panjohur [...]”
Episodi i parë është intervista e Eleni Foureiras, pak ditë pas performancës në Tiranë.
Podcast quhet një seri episodike skedash audio ose video të cilat përdoruesi mund t’i shkarkojë dhe t’i dëgjojë. Funksionon në bazë abonimi pasi në këtë mënyrë, ndjekësit njoftohen në kohë për episodet e reja. Zakonisht, podcastet publikohen në format audio dhe videot që i pasojnë quhen video podcasts ose vodcasts. Për sa i përket përmbajtjes, podcastet janë zakonisht intervista, biseda rreth eventeve ose fenomeneve, komedi (kryesisht stand up) dhe histori të ndryshme, rrëfyer nga një narrator.
Në shqip gjenden vetëm podcaste fetare dhe ky program në SBS Radio në Australi që konsiston në lajme në shqip, jo në një podcast të mirëfilltë. Në dallim nga emisionet radiofonike, që kur ngarkohen online quhen podcaste, Jonida Podcast është ideuar për t’u postuar menjëherë në internet.
Nëse doni të dëgjoni podcaste të tjera, mund të përdorni aplikacionet e vetë celularit tuaj si Google Podcasts ose Podcasts në iPhone. Përveç Jonida Podcast me mbështetjen e Abi Bank, ju rekomandojmë 'The New Yorker Radio Hour", "Sword and Scale" dhe "How I Built This".