Kur zhytësit britanikë gjetën 12 djemtë tailandezë të bllokuar në shpellë, vunë re se po meditonin.
“Vini re sa të qetë po prisnin. Asnjëri s’po qante, asnjëri s’po ankohej. Ishte mahnitëse,” tha nëna e një prej djemve për Associated Press, duke iu referuar një videoje të momentit të gjetjes.
Rezulton që trajneri i tyre, Ekapol Chanthawong, i cili i udhëzoi djemtë drejt një zone më të sigurt kur shpella filloi të përmbytej, ishte trajnuar për një dekadë të tërë në meditimin budist. Sipas një sërë burimesh, ai i mësoi djemtë e moshave 11-16 vjeç si të meditonin brenda shpellës që të ruanin qetësinë dhe energjinë për javët në vazhdim.
“Ai mund të meditojë për rreth një orë,” tregon tezja e Ekapol. “E ka ndihmuar shumë dhe me siguri ka ndihmuar dhe djemtë që të ruajnë qetësinë.”
Ekapol, 25 vjeç, shkoi të jetonte në një monastir pasi mbeti jetim në moshën 12-vjeçare. U trajnua për t’u bërë murg për dhjetë vite me radhë, por hoqi dorë pasi iu desh të kujdesej për gjyshen e sëmurë. Asokohe u punësua si ndihmës trajner në skuadrën e djemve, e njohur si The Wild Boars (Derrat e Egër).
Coach Ake, si njihet ndryshe, mban ende lidhje me monastirin. Abati i atjeshëm tha se “ai është një djalë i përgjegjshëm që mediton rregullisht.”
Meditimi në fjalë është një praktikë e dobishme në situata ekstremisht stresuese si bllokimi në një shpellë të përmbytur dhe kjo nuk përbën habi. Meditimi budist ka më shumë 2,600 vite që ekziston, që kur Buddha filloi ta përhapte si mënyrën për të arritur qartësi dhe paqe mendore, dhe rrjedhimisht, çlirim nga vuajtja.
Së fundi, kërkuesit shkencorë kanë vërtetuar se meditimi i ndërgjegjshëm, si ai që mësohet në budizmin tailandez, mund të pakësojë ankthin dhe depresionin, si dhe dhimbjen.
Edhe pse ka pak studime mbi meditimin dhe shëndetin mendor, një analizë e 2014-s nga Johns Hopkins zbuloi se meditimi dhe veçanërisht meditimi i ndërgjegjshëm, luan një rol të rëndësishëm në trajtimin e depresionit, ankthit dhe dhimbjes tek të rriturit – si medikamentet, por pa efektet anësore. Gjithashtu, meditimi mund të pakësojë dëmet e streseve psikologjike, por në një nivel më pak domethënës. Studimet tek fëmijët janë në fazat fillestare, por sidoqoftë çdo ditë e më shumë shkolla po e implementojnë si program të mëvetësishëm.
Vëllai Phap Dung, dishepull i vjetër, mjeshtër i budizmit zen dhe autor, Thích Nh?t H?nh tha në një intervistë në 2016-n: “Në meditim, ti kultivon paqe, dhembshuri, qartësi, që t’ia ofrosh të tjerëve. Kur ulesh me dikë që është i qetë, edhe ti je i qetë. Kur ulesh me dikë që është i nevrikosur dhe i acaruar, edhe ti bëhesh i nevrikosur dhe i acaruar.”
Në Tailandë po qarkullon vizatimi i mëposhtëm, që shfaq Ekapol ulur këmbëkryq me 12 derra të vegjël që meditojnë paqësisht në prehërin e tij.
Edhe pse i mbajti fëmijët të sigurt dhe të qetë, Ekapol u kërkoi falje prindërve të tyre në një letër publike.
“Prindërve të fëmijëve,
Tani fëmijët janë mirë, ekuipazhi po kujdeset për ta. Ju premtoj që do të kujdesem për ta në maksimumin tim.
Dua t’ju falenderoj për mbështetjen dhe dua t’ju kërkoj falje.”
Burimi: Vox