Pas simbolit të shqiponjës nga Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, e cila bëri gjithë botën të flasë, Federata Zviceriane e Futbollit është në bisedime e sipër për të detyruar gjithë futbollistët të mbajnë vetëm një shtetësi, në të kundërt do të përjashtohen nga ekipi përfaqësues.
Siç dihet tashmë, 3 futbollistët e Zvicrës, dy prej të cilëve janë me origjinë shqiptare, u gjobitën nga FIFA për simbolin e shqiponjës gjatë ndeshjes me Serbinë dhe siç duket ka qenë ky veprim që ka nxitur Federatën Zviceriane të Futbollit të marrë masa.
“Ky incident tregon se ka një problem. Duhet të pyesim veten: a duam shtetas të dyfishtë?”, u tha në një deklaratë zyrtare.
Disa kohë më parë, Ivan Rakitic, i lindur dhe i formuar si futbollist në ekipet zviceriane, u largua për të luajtur me Kroacinë duke shkaktuar shumë reagime të ashpra në Zvicër. Nëse ky vendim aprovohet, lojtarët shqiptarë duhet të mbajnë vetëm 1 shtetësi (një pjesë e mirë janë me shtetësi të dyfishtë, madje Shaqiri ka 3, zviceriane, shqiptare dhe kosovare), në të kundërtën do të përjashtohen.
Burimi: Swiss Info